Telegrafi

S’ka punëtorë për rindërtim pas tërmetit, Rama: Do sjellim nga jashtë vendit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama një ditë pas Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ku për Shqipërinë u mblodh një fond prej 1.15 miliard euro për rindërtimin, ka inspektuar zonën e plazhit në Durrës.

Rama pa nga afër ecurinë e punimeve për riparimin e godinave të banimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të shkuar.

I shoqëruar nga zv/kryetari i Bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj dhe nga zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, Kryeministri inspektoi një nga godinat ku ka nisur meremetimi.

Sipas Varfajt, për meremetimin po punohet “në dy fronte, në ambientet e jashtme të godinës dhe apartamente”, por nënvizoi ai, problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore.

Lexo po ashtu 1.15 miliard euro për Shqipërinë, komisionari i BE-së: Korrupsioni nuk do të tolerohet

“Ky është problemi kryesor që nuk e keni vetëm ju. Duan punë, por kur vjen puna për punë, jo vetën që duan punë shteti, por, edhe kur i thua kualifikohuni, jo të gjithë janë gati. Megjithatë, ne e kemi kaluar ligjin tani, për të lehtësuar maksimalisht sjelljen e fuqisë punëtore nga jashtë. Sado absurde që duket, ky është fakti dhe nuk është vetëm tek ne, është dhe në rajon”, u shpreh Rama.

Faza e parë e rindërtimit mundëson rikthimin e të prekurve nga tërmeti në 1859 apartamente, deri në fund të muajit mars, në godinat e pabanueshme ku nevojitet vetëm meremetim. /Euronews.al/