Telegrafi

S’ka punë për kinezët në Kosovë

Erdhën nga larg dhe hapën dyqanet në çdo qytet të Kosovës. Menjëherë pas luftës, kinezët bashkë me produktet “Made in China”, u bënë goxha referencë në tregun vendës. Edhe gjuhën shqipe e mësuan.
Por, 16 vjetë më pas, mund t’i numërosh në gishta shtetasit kinez që kanë biznes të tyre në Kosovë. Shumë nga ta ua kanë vënë drynin dyqaneve dhe janë kthyer nga kanë ardhur.

Edhe ata që kanë mbetur thonë se nuk po kanë punë. Thonë se edhe bashkëkombësit e tyre u larguan nga Kosova për shkak të krizës, dhe volumit të punës.

“Ka ndryshuar shumë puna. Para 5 apo 6 viteve ne kemi pasur punë dhe fitim shumë. Vetëm më dyqanet gjithçka 1 euro kemi fituar shumë. Këso biznese bashkëkombësit e mi kanë hapur shumë në Kosovë, por tash nuk janë më. Ata janë kthyer serish në Kinë”, tregon për Gazetën Fjala, Fengmel Chen tregtare nga Kina që vazhdon të bëjë biznes në Kosovë.

Sipas saj, dyqane të ngjashme kanë hapur vetë kosovarët. “Kjo mund të shihet në çdo cep të vendit që janë hapur dyqane të gjithçka 1 euro. Këto ne i kem pas më herët”,thotë Chen.

Sipas saj krahasuar me vitet e më hershme tani bizneset kineze janë në numër shumë të vogël dhe aktualisht në Kosovë biznese nga ky vend janë vetëm disa qendra të masazheve e dyqane të gjësendeve të vogla.
Ajo tregon se edhe taksat dhe tatimet janë të papërballueshme për bizneset e vogla që veprojnë në Kosovë. Kjo edhe është arsyeja që shumica e të hyrave u shkon në arkën e shtetit.
Largimin e bizneseve kineze nga Kosova e konfirmojnë edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Por, ata nuk kanë ndonjë arsye zyrtare pse kinezët kanë ikur.

Në MTI vetëm tregojnë se deri tani janë shuar mbi 36 biznese kineze që kanë vepruar në Kosovë, prej vitit 2000. Derisa, thonë se nga viti 2000 e deri më tani në Kosovë kanë qenë të regjistruara mbi 400 biznese kineze.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu vlerëson se largimi i afaristëve kinez nga Kosova ka ndodhur për shumë arsye.

Sipas tij, një nga arsyet është komunikimi, pastaj edhe distanca mes Kosovës dhe Kinës, por më kryesorja është ngritja e kapaciteteve , ose ndërkombëtarizimi i bizneseve kosovare dhe krijimi i bashkëpunimit më të mirë Kosovë – Dubai.

Shumë kosovarë, ai thotë se kanë intensifikuar biznesin me Dubai ku produktet kineze i blejnë më lirë se në Kinë. Kjo për shkak se Kina dhe Dubai kanë një marrëveshje tregtare dhe kosovarët mund të blejnë më lirë produkte në këtë vend.

E aktualisht të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë tregojnë se leje të qëndrimit kanë vetëm 34 banorë të Kinës.

Por për dallim nga ta në pesë vitet e fundit numri i përgjithshëm i leje-qëndrimeve të përkohshme të dhëna për shtetas të tjerë të huaj ka shënuar rritje.

Në vitin 2011 ishin 1722 persona, një vit më vonë 1866 kurse në vitin 2013 janë lëshuar 2078 leje qëndrimi./Gazeta Fjala/Telegrafi/