Telegrafi

S’ka ngrohje me avull as me 24 nëntor

Ngrohja me avull përmes projektit të koogjenerimit siç ishte paralajmëruar se do të filloj nga sot, nuk do të startoj. Për këtë datë të startimit të ngrohjes më avull ishte deklaruar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili ditë më parë kishte thënë se nëse gjithçka shkon në rregull, ngrohja e parë do të filloj pikërisht nga 24 nëntori.

“Të premten në mesnatë (7 nëntor) është ndalur blloku B1, ndërsa nesër fillon adaptimi i softuerit dhe nëse gjithçka shkon në rregull më 18 nëntor blloku B1 do të lëshohet, ndërsa me 24 nëntor pas testimeve duhet ta kemi ngrohjen e parë në Prishtinë me koogjenerim“, pati deklaruar kryetari Ahmeti në mbledhjen e Kuvendit Komunal në të cilën kishin marr vendim për ndarjen edhe të 2.9 milionë eurove për import të energjisë.

Ndërsa, Afërdita Uka-Fejzullahu, zëdhënëse në ngrohtoren “Termokos” ka thënë për Kosovalive se funksionalizimi i ngrohjes nëpërmes projektit të kogjenerimit është një proces mjaft kompleks.

Sipas saj, tashmë janë duke u bërë testimet e pajisjeve të ngrohjes, të cilat deri më tani kanë rezultuar me sukses të plotë dhe se fillimi i ngrohjes me avull është çështje ditësh.

“Pasi që ky projekt është duke u realizuar për herë të parë në Kosovë, si dhe për shkak se janë instaluar pajisje komplekse e të kushtueshme, testimet janë duke u bërë hap pas hapi për të testuar sigurinë e pajisjeve të ngrohjes, në mënyrë që të sigurohemi, që gjithçka është në rregull dhe mund të fillojmë furnizimin me ngrohje. Fillimi i furnizimit me ngrohje nëpërmes Termocentralit ‘Kosova B‘, është çështje ditësh“, ka bërë të ditur ajo.

Sipas saj, qëllimi i realizimit të projektit të kogjenerimit është që të sigurojë ngrohje të mjaftueshme dhe më cilësore se që e kanë pasur deri më tani konsumatorët.

Fillimisht projekti është vlerësuar të kushtojë 30 milionë euro, mirëpo është rritur edhe për 7 milionë tjera për shkak të shpenzimeve të paparashikuara. Qeveria gjermane është shprehur e gatshme që të financojë pjesën më të madhe të kësaj shtese prej 4 milionë eurove me kërkesën që 3 milionë euro te tjera të zotohen nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Sipas të parit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ideja kryesore ka qenë që të bëhet lidhja e dy gjeneratorëve të Termocentralit Kosova B (B1 dhe B2) të cilët do të lidheshin me Termokos-in dhe më nuk do të përdorej mazuti për ngrohje, i cili prej momentit nga themelimi i saj është rritur çmimi i mazutit diku për 1000% dhe ka mbërri në nivelin 700 euro për tonë.

Ai kishte theksuar se me koogjenerim në kryeqytet vlerësohet se do të kursehen diku 25-30% energji elektrike nga konsumi i përgjithshëm për komunën e Prishtinës. Momentalisht në rrjetin e ngrohtores janë të lidhur 60 mijë banorë dhe ekziston mundësia që të kyçen edhe 20 mijë të tjerë me këtë kapacitet të lidhjes në B1 dhe B2.

Projekti zhvillohet në tri faza dhe është bërë me ndihmë të Qeverisë gjermane dhe Bankës KFW. Fazat e projektit janë lidhja fizike dhe softuerike me B1 dhe B2, faza e dytë është riparimi i nënstacioneve të Termokosit, i cili do të bëhet vitin e ardhshëm dhe faza e tretë është zgjerimi i rrjetit të qytetit për 20 mijë banorë të tjerë. Kostoja e ndaljes së prodhimit të KEK-ut për 12 ditë do të kushtojë për 4 milionë e 670 mijë euro për import të energjisë elektrike. /KosovaLive/Telegrafi/