Përfundimisht nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2016. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” Qemajl Mustafa, anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE).
Ai ka thënë se janë dhënë vlerësimet sa i përket kërkesave të operatorëve për lejimin e të hyrave maksimale. Ai thotë se aktualisht janë në konsultime, por shumë shpejt do të dalin me vendimin për mosarritje të çmimit të energjisë.
Madje Mustafa paralajmëron se për bizneset do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike, ndërsa çmimi i energjisë për qytetarët do të jetë i njëjtë.
“Këta operatorë të licencuar i kanë bërë kërkesat e veta, e kanë parë propozimin tonë se çfarë është. Përfundimisht nuk do të ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë, por ne kemi gjetur kursime prej 30 milionë eurosh dhe këtë hapësirë që e kemi kursyer në sistem do t’ua kthejmë shpenzuesve konsumatorëve komercialë. Është fjala për gjithë ekonominë shërbyese, domethënë për biznese. Do të jetë një lirim prej 5 për qind dhe ne do të shkojmë mundësinë deri në 15 për qind kësaj here assesi s’do të ketë shtrenjtim, por do të këtë lirim të çmimit të bizneseve dhe këtë lirim e kemi ndërmend t’ua ofrojmë vetëm bizneseve. Çmimi i rrymës për qytetarët do të jetë i njëjtë si vitin e kaluar”, ka thënë ai.
Korporata Energjetike e Kosovës dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, i kanë dorëzuar kërkesat e tyre për të hyrat e lejuara për këtë vit në Zyrën e Rregullatorit për Energji. Kërkesat e operatorëve ishin kundërshtuar nga qytetarët dhe shoqëria civile në vend.
Sipas tyre nuk ka arsye që të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. /Telegrafi/