Site icon Telegrafi

S’ka më “djali arbitër, baba kontrollor”

Në Superligën e Kosovës, aktualisht janë pesë kontrollorë të cilët do t’ua shohin “sherrin” djemve të tyre, të cilët i kanë në Superligë, pasi do të zbresin një kategori më poshtë. Kjo sipas zëdhënësit të FFK-së, Fazli Berisha, është bërë me qëllim që të hiqet çdo dyshim i mundshëm për kurdisje të notave.

“Në parim ka qenë gjithmonë një konflikt interesi të cilit më në fund tani i ka ardhur koha që të hiqet. Mendoj se është një hap i mirë i Bordit Ekzekutiv, pasi që me këtë vendim do të hiqet çdo mundësi të paktën juridike për kurdisje të notave të arbitrave”, ka thënë Berisha.

Në të kaluarën në futbollin kosovar nuk kanë qenë të pakta “dyshimet” kur një arbitër apo tjetër është favorizuar me notë për shkak të shoqërisë së baballarëve të tyre. Zëdhënësi Berisha, edhe pse nuk kujton ndonjë rast të tillë, ka pranuar se dyshime ka pasur.

“Po, dyshimet kanë qenë gjithmonë nëse jo prej nesh atëherë prej palëve të tjera. Megjithatë, me këtë veprim tani më as dyshime nuk do të ketë pasi nuk do të ketë më asnjë konflikt interesi në këtë aspekt. E kjo me siguri do të shërbejë në rritjen e cilësisë së referimit dhe pasjen e një pasqyre më reale në ndarjen e drejtësisë” , ka shtuar Berisha.

Ndërkohë, në këtë mbledhje të Bordit Ekzekutiv, të cilin e udhëhoqi kryetari Fadil Vokrri, u debatua edhe për përgatitjet e turneut tradicional “Adem Jashari”, ku u konstatua se gjithçka është e gatshme për fillimit e turneut i cili do të nisë të dielën me 3 mars, në orën 19:00.

Po ashtu, u kompletua edhe Komisioni i Garave, i cili tash përbëhet prej: Isuf Ajeti, Xhafer Halilosmani dhe Avni Shala. Mbledhja e radhës e Këshillit Ekzekutiv do të bëhet të mbahet javën që vjen, ku do të diskutohen reformat e komisioneve të ndryshme që funksionojnë në kuadër të FFK-së, raporton Zëri. /Telegrafi/

Exit mobile version