Telegrafi

S’ka marrëveshje për gazin

Presidenti në largim i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso i ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës të mbyllin negociatat për furnizimin me gazin rus në Ukrainë, pasi bisedimet e së Mërkurës kanë dështuar në arritjen e një marrëveshjeje.

Barroso, i cili foli disa herë me Presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko, gjatë ditës së Mërkurë, u shpreh se arritja e një marrëveshjeje ishte brenda mundësive, në bazë të propozimeve të Komisionit Europian. “Barroso i bëri thirrje të gjitha palëve, që të shfrytëzojnë mundësitë dhe të përfundojnë negociatat për një furnizim të vazhdueshëm, të besueshëm dhe të bazuar në çmimet e tregut”, tha Komisioni Europian në një komunikatë. Bisedimet u bllokuan, pasi negociatorët e Moskës kërkuan një angazhim më të madh nga Bashkimi Europian, për të mbuluara para-pagesat e Kievit për energjinë.

Në bisedimet, që zgjatën deri në orët e vona të së Mërkurës, palët dështuan në arritjen e një marrëveshjeje, ndërkohë që dimri po “troket”. Paqartësi ka pasur edhe mbi çmimin e gazit që Kievi duhet të paguajë dhe shlyerjen 3.1 miliardë dollarë në fatura të papaguara nga qeveria e Ukrainës. Gjithashtu Kievi është në bisedime me kreditorët ekzistues të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, e shqetësuar për mungesën e gazit në pjesën tjetër të Europës ka bërë thirrje që Kievit ti jepen këto para. Por edhe në këtë pikë, negociatorët rusë, duan të shohin një marrëveshje të nënshkruar për financimin e Ukrainës nga Bashkimi Europian. /Telegrafi/