Telegrafi

S’ka liberalizim të vizave, fajin skandalet korruptive?

Analistët kosovarë vlerësojnë për Radio Kosovën, se ky vit nuk do të jetë vit i liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë. Fajin për këtë, sipas tyre e kanë institucionet e vendit që janë përfshirë në skandale korruptive.

Ardhja e zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian për të paraqitur raportin rreth punës që kanë bërë institucionet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, nuk duket të jetë shumë shpresëdhënëse, vlerësojnë analistë të integrimeve evropiane.

Fatmir Curri nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur thotë se skandalet e fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në veçanti ai për keqpërdorimin e tenderit për pasaportat biometrike, kanë zbehur imazhin e Kosovës tek institucionet evropiane.

“Të gjitha premtimet e thëna do të thyhen sepse nuk është e mundur as teknikisht as politikisht që kosovarëve deri në fund të këtij viti të ju liberalizohen vizat. Viti 2013 do të jetë shumë i rëndësishëm sa i përket zbatimit dhe arritjes së kritereve, derisa diku nga mesi i 2014 duhet të shpresojmë që BE-ja të lëviz makinerinë vendimmarrëse, në ndryshimin e disa rregulloreve, në mënyrë që Kosova të lëviz nga zona e zezë, në zonë e bardhë të Shengenit”.

Edhe Emrush Ukjani, njohës i integrimeve evropiane ndan të njëjtin mendim, duke fajësuar institucionet e vendit, të cilat sipas tij, janë përfshirë në afera korruptive, gjë që po i dëmton qytetarët kosovarë.

“Mendoj se në vend që të merret ndonjë konfirmim pozitiv për Kosovën, aferat do ta kenë vendin kryesorë të këtij raporti. Dhe kjo është vërtet diçka shumë e dëmshme për vendin sepse jo vetëm se do të shtyhej procesi si proces, por në të njëjtën kohë do të krijonte një imazh jo të mirë për performancën e institucioneve tona”, tha ai.

Delegacioni i lartë i komisionit evropianë që pritet të arrijë nesër në Kosovë, do të takohet me ministren e Integrimit, Vlora Çitaku, ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe zyrtarë të tjerë të zyrës së BE-së dhe EULEX-it, në Kosovë. /Telegrafi/