Një legjislacion i ri në Arabinë Saudite pritet t’i japë fund praktikës së deritanishme të të mosnjoftuarit të femrave në raste divorci.
Kështu, sipas mediave, gjykatave do t’iu kërkohet të njoftojnë femrat përmes një mesazhi SMS në telefonat celularë, mbi vendimet që konfirmojnë divorcet e tyre.
Avokatet lokale thonë se masa e re do t’u japë fund të ashtuquajturave “divorce sekrete”, në të cilat meshkujt mund të zgjedhin t’i japin fund martesës së tyre pa ua thënë këtë bashkëshorteve.
Direktiva e re do të garantojë që gratë të jenë tërësisht të informuara mbi statusin e tyre martesor, e sigurisht të mund të mbrojnë të drejtat për mbështetje financiare, përcjell tch.
Vitin e kaluar, në Arabinë Saudite u hoq ndalimi disa dekadash që nuk i lejonte femrat në timon.
Megjithatë, femrat vijojnë të jenë subjekt i ligjeve të mbikëqyrjes nga meshkujt. Por jo vetëm. Femrat saudite, ende edhe sot nuk mund të bëjnë shumë gjëra, pa miratimin e një mbikëqyrësi mashkull, zakonisht bashkëshorti, babai, vëllai apo djali.
Mes tyre, për shembull, është aplikimi për pasaportë, udhëtimi jashtë vendit, martesa, hapja e një llogarie bankare, nisja e disa bizneseve të caktuara, kryerja e operacioneve kirurgjikale për qëllime estetike, apo largimi nga burgu.
Sistemi i mbikëqyrjes nga meshkujt ka bërë që të krijohet një nga shtetet me pabarazinë më të theksuar gjinore në Lindjen e Mesme.