Besa dhe Trepça ’89 i ndanë pikët duke barazuar me rezultat 0:0, në kuadër të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Trajneri i mitrovicasve, Gani Sejdiu, u shpreh i kënaqur me pikën e fituar, por jo edhe me repartin e sulmit.
“Realisht të dyja skuadrat janë larg objektivave për kreun e tabelës, por nga vendi i tretë e poshtë duhet pasur kujdes dhe të mbledhin sa më shumë pikë. Mendojë se patëm raste për të shënuar”, deklaroi Sjediu për SSK.
“Rastet për shënim i pati edhe skuadra e Besës. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat dhe pa kalkulime. Një pikë e fituar realisht është e vlefshme”.
“Por, ajo që më shqetëson mua dhe që e shoh si problem është pjesa e sulmit, ku na mungon një sulmues tipik që rastet e krijuara t’i shndërrojë në gol. Kjo është pjesa më e dobët e jona, pasi po krijojmë raste dhe nuk po mund t’i konkretizojmë”, ka thënë Sejdiu. /Telegrafi/