Site icon Telegrafi

Sivjet Kongresi… i PDK-së?

Zyrtari përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në PDK, Basri Musmurati, ka deklaruar se ende nuk është caktuar asnjë datë për organizimin e kuvendeve zgjedhore të degëve, pasi procesi është duke vazhduar nëpër seksione dhe nëndegë.

“Ka mundësi të mbahet Kongresi Zgjedhor këtë vit nëse kryhet krejt procesi nëpër degë deri më 15 dhjetor. Nëse na shtyhet pak, pasi nuk u dihet degëve se deri ku mbërrijnë, atëherë sigurisht se Kongresi do të shtyhet për më vonë”, ka thënë Musmurati për Express, të mërkurën.

PDK ka nisur zgjedhjet e brendshme para dy javësh, ndërkohë ka planifikuar që t’i përfundojë brenda 90 ditësh, ashtu siç është e paraparë me statut. Koha maksimale për të mbajtur Kongresin është 30 janari i vitit 2013.

Por, zyrtarë të lartë të kësaj partie, sipas burimeve të gazetës “Express”, po synojnë që zgjedhjet partiake, përfshirë edhe Kongresin, t’i mbajnë deri në fund të vitit.

Sido që të jetë, Musmurati thotë se janë së paku njëmijë lokacione ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe tek kur të kryhet gjysma e tyre, mund të dihen datat e zgjedhjeve nëpër degët e Partisë.

“Procesi zgjedhor ende nuk është kryer në asnjë qytet, pasi veç ka filluar. Së pari mbahen zgjedhjet nëpër seksione, pastaj nëpër nëndegë, një pjesë kanë filluar dhe janë krye. Kemi më shumë se 600 nëndegë, 400 e më shumë seksione, në krejt këto duhet të mbahen zgjedhje”, ka thënë ai. /Telegrafi/
 

Exit mobile version