Deri në shtator të këtij viti, investimet e huaja direkte të pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 201.5 milionë euro, që paraqet një rritje prej 10.5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në kuadër të strukturës së investimeve të huaja direkte (IHD), me rritje u karakterizua kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, ndërsa investimet në instrumente të borxhit shënuan rënie.
Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 91.2 për qind të gjithsej IHD-ve, arriti vlerën prej 183.8 milionë euro dhe shënoi rritje prej 20.0 për qind. IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit arritën vlerën prej 17.6 milionë euro, një rënie prej 39.5 përqind.
Rritje më e lartë e IHD-ve u shënua në sektorin e shërbimeve financiare dhe në shërbime të tjera 30.2 për qind (përkatësisht 13.7 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar), përderisa në sektorët e patundshmërisë dhe të ndërtimit u shënua rënia më e lartë e IHD-ve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, thuhet në raportin e vlerësimit të ekonomisë për periudhën e tremujorit të tretë. /Telegrafi/