Site icon Telegrafi

Situatë kaotike në Jerusalem për shkak të masave anti-COVID, qytetarët e nervozuar dalin nëpër rrugë – konfrontohen me policinë

Nervoza për shkak të masave të vëna që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së coronavirusit në Izrael, po vërehet qartë në fytyrat e qytetarëve.

Në Jerusalem ka ardhur deri te përleshja mes qytetarëve dhe policisë, ku fluturonin gurë nga të gjitha anët – e rrugët ishin të bllokuara plotësisht, transmeton Telegrafi.

Demonstruesit në Jerusalem kanë hedhur gurë mbi veturat në lëvizje, dhe kanë bllokuar rrugët me kontejnerët e mbeturinave.

Raportohet se policia ka përdorur topa uji për të shpërndarë turmën e demonstruesve, e disa prej tyre kanë përfunduar në pranga.

Ata gjithashtu i kanë vënë zjarrin disa kontejnerëve, e situatë e ngjashme ka mbretëruar edhe në qytetet tjera izraelite. Qindra demonstrues në Bet Shemesh kanë hedhur gurë dhe vezë mbi policinë, që rezultoi me arrestimin e tre personave.

Në Izrael aktualisht po aplikohet izolimi i tretë në nivel vendi. E këto masa vlejnë deri të dielën, por qeveria pritet të njoftojë për planin e ri për lehtësimin e masave.

Në anën tjetër, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se zbutja e masave duhet të jetë shumë i ngadaltë, për shkak të variantit të ri të coronavirusit që po përhapet edhe nëpër Izrael. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version