Site icon Telegrafi

Situatë e rënduar në Teksas, vala e të ftohtit lë pa ngrohje dhe ujë miliona banorë, paralajmërohet për mungesë së energjisë elektrike gjatë fundjavës

Zyrtarët e shtetit amerikan, Teksas, kanë paralajmëruar për një “katastrofë brenda katastrofës” pas valës së të ftohtit që ka lënë miliona njerëz pa ngrohje e ujë, duke theksuar që qytetarët duhet të përgatiten për mundësinë që të mos ketë energji elektrike gjatë fundjavës.

Banorët të më shumë se 100 rajoneve në Teksas u është thënë që ta ziejnë ujin para se ta përdorin, e rreth 12 milionë banorë të këtij shteti amerikan, që është shteti i dytë më së shumti banorë në SHBA, po ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm që kur stuhia e të ftohtit ka goditur këtë vend, transmeton Telegrafi.

Rreth 2.7 milionë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, kurse shërbimet meteorologjike kanë parashikuar se temperaturat e ulëta do të mbizotërojnë edhe gjatë fundjavës, duke rënduar kështu sistemin e rikthimit të energjisë elektrike, pasi që Teksasi nga kjo valë e të ftohtit ka humbur rreth 40 për qind të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.

 

Përveç kësaj, burimet natyrore të gazit dhe gazsjellësit si dhe makineritë e tyre janë ngrirë nga temperaturat e ulëta. Spitalet në Houston, kanë bërë të ditur se nuk kanë ujë, kurse besohet se dhjetëra raste të vdekjeve janë konfirmuar si pasojë e temperaturave të ulëta.

Përfaqësues të autoriteteve lokale po brengosen që numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i madh, por që trupat e të vdekurve ende nuk janë gjetur. /Telegrafi/

Exit mobile version