Spitalet zvicerane tanimë po përballen me një gjendje të rënduar.
Dhe sipas mediave zvicerane, përcjell Telegrafi, situata është ngarkuar sidomos pas riatdhesimit të shtetasve të sëmurë rëndë jashtë vendit – veçanërisht nga Kosova.
Kështu, vlerësojnë mediat atje, që nga fundi i pushimeve verore, situata në spitalet zvicerane është bërë kërcënuese.
Për shembull, Thurgau duhet të zhvendosë njerëzit e sëmurë rëndë në kantone të tjerë sepse njësitë e tyre të kujdesit intensiv janë ngarkuar. Meqë ka mungesë të stafit të kualifikuar në të gjithë Zvicrën, kapacitetet në njësitë e kujdesit intensiv janë të kufizuara.
“Fluturimet e kthimit nga jashtë janë gjithashtu një problem i madh për ne. Shumë pacientë tashmë kanë ardhur dhe ende do të vijnë”, thotë drejtori shëndetësor i Thurgau, Urs Martin për Blick, përcjell Telegrafi. Kjo e rëndon edhe më shumë situatën në spitale.
Siç vë në pah Blick.ch, përcjell Telegrafi, në Ballkan në veçanti, shumë njerëz që banonin në Zvicër u sëmurën aq rëndë nga COVID-19 gjatë pushimeve verore.
Madje, aeroplanët e ambulancës kanë qenë në përdorim të vazhdueshëm që atëherë për të sjellur për në Zvicër të sëmurët rëndë.
Kompania Rega nuk jep asnjë informacion mbi kthimet ose informacion për pacientët, por Blick thotë se ishte në gjendje të vlerësonte jozyrtarisht aktivitetet e fluturimit të tre aeroplanëve të ambulancës Rega përmes portalit të përcjelljes Flightradar24.
Rezultati: Rega ka fluturuar për në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, 21 herë vetëm nga fillimi i muajit gusht.
Shumë prapa në renditje janë Shkupi (Maqedonia e Veriut, 9 fluturime), Beogradi (Serbi) dhe dy qytetet italiane të Napolit dhe Brindizit, secila me nga katër fluturime.
Ndërkohë vë në pah Blick.ch, vlerësimi i Rega përputhet me shifrat nga Medicall AG.
Ajo organizon fushata kthimi në të gjithë globin në emër të sigurimeve shëndetësore zvicerane.
Kështu, në korrik dhe gusht, kompania kreu gjithsej 55 riatdhesime të pacientëve me coronavirus, nga të cilat, 18 fushata kthimi me aeroplanë, helikopterë dhe ambulanca u zhvilluan në Kosovë dhe
Maqedoni e Veriut.
Gjithashtu shqetësuese vlerëson mediumi në fjalë është fakti se vetëm në Medicall, aktualisht ka 36 transporte të kthimit të pacientëve me coronavirus në listën e pritjes në të gjithë botën. 20 nga pacientët, pra më shumë se gjysma, janë në spitale në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut! /Telegrafi/