Në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnajk situata vazhdon të jetë e qetë.
Këto dy vendkalime kanë qenë të bllokuara tash e dy javë nga serbët lokalë, të cilët kanë protestuar kundër masës së reciprocitetit për targa të vendosur nga Qeveria.
Sot pritet të largohen të gjitha bllokadat e vendosur nga serbët, kurse në pikat kufitare do të vendosën ushtarët e KFOR-it, transmeton Telegrafi.
KFOR tashmë ka filluar të qarkullojë lirshëm në pikat kufitare, ndërkohë protestuesit ende vazhdojnë të jenë prezent.
Ndërkohë, më herët janë parë ushtarët e KFOR-it duke biseduar me pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës rreth largimit që ata duhet të bëjnë nga këto vendkalime.
Pikat kryesore të marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë:
Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.
– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut. /Telegrafi/