Site icon Telegrafi

“Situatë alarmante”, shoqata sindikale denoncon shkeljet dhe parregullsitë në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ), ka numëruar sot një varg shkeljesh të pretenduara që po ndodhin brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Në një komunikatë për media, shoqata ka njoftuar për “situatën alarmante” të krijuar në MPJD, ku sipas saj, ka shkelje ligjore, mosrespektim të kritereve për ngritje në gradë dhe në procesin e rotacionit.

SHSASHJ thotë se MPJD po dërgon diplomatë pa përvojë me kohëzgjatje disamuajshe, po bëhen emërime politike e lëvizje të diplomatëve pas disa muajve akreditimi nga një mision në tjetrin.

Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre apo me zëvendësues për më shumë se 20 muaj, mosrespektimi i kritereve për pranim në punë, transferimet pa kurrfarë kriteresh nga resorë të tjerë qeveritarë në MPJD, transferimet pa asnjë kriter brenda MPJD-së, ulja e pagave të anëtarëve të shërbimit jashtë vendit dhe aplikimi i standardeve të shumëfishta, janë disa nga shqetësimet e identifikuara.

“Veprimet brenda MPJD-së, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, janë po ashtu në kundërshtim të plotë edhe me parimet e Administratës Publike të zhvilluara nga SIGMA”, thotë SHSASHJ, sipas së cilës, në mungesë të mundësisë për adresimin e çështjeve brenda institucionit është dashur që nëpërmjet komunikatës të informohet opinioni për “situatën alarmante në MPJD”.

Exit mobile version