Telegrafi

Situatë alarmante në Patos, zjarret dalin nga kontrolli – rrezikohen depozitat e naftës

Zjarret të favorizuara nga era dhe errësira e natës kanë dalë nga kontrolli duke djegur me dhjetëra hektarë me ullinj dhe shkurre në Patosin e Vjetër. Situata nuk është premtuese as në Margëlliç, e cila gjithashtu ndodhet nën pushtetin e flakëve.

Sipas banorëve, ka shtëpi që rrezikohen ashtu si dhe depozita me naftë bruto. Po ashtu, një nënstacion elektrik është shkrumbuar nga flakët në Patos, ndërsa OSHEE është detyruar të ndërprejë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie.

Qarku i Fierit është përfshirë nga 11 vatra zjarri këtë të shtunë, duke shënuar ditën më të vështirë sa i përket luftës me flakët për vitin 2023.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, Rroskoveci, por edhe Dimal nuk ka mjaftuar për të shuar flakët që janë përhapur me shpejtësi nga era e fortë dhe pemët e pishave në pyll.

Aktualisht janë disa vatra aktive; Marinzë, Peshtan dhe Darëzezë. Ndërkohë vatra më problematike mbetet Darëzeza, ku pavarësisht se është kërkuar ndërhyrje nga ajri, me errësirën e natës para, u bë e pamundur ndërhyrja.

Vatër zjarri problematike mbetet edhe ajo në Ndernënas të Libofshës ku flakët po i afrohen një stalle dhe shtëpive. Mësohet gjithashtu se vatra zjarri ka edhe në Patos ndërkohë që sipas informacioneve edhe në Drenovë Fushë në Mallakastër është aktivizuar një tjetër vatër zjarri.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikseve pasi sipërfaqja me vatra të shumta zjarri është e madhe dhe terreni shumë i vështirë.

Në një reagim referuar situatës, Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaron se po punohet për shuarjen e flakëve, dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

“Po ndjekim situatën në Bashkinë Patos, në fshatin Margëlliç, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha. Forcat zjarrëfikëse të Patosit, Roskovecit, Fierit, kompanisë Albpetrol po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur zonat e banuara, ndërsa janë nisur forca edhe nga Lushnja, Vlora dhe Berati. Policia e Shtetit ka dërguar efektivë të shumtë të FNSH, ndërsa ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie”, ka shkruar Balla në Facebook. /tch/