Telegrafi

Situata me zjarret në Shqipëri, Ilir Meta: Të ndërhyhet menjëherë, të shtohen vrojtuesit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga zjarret në disa qarqe të vendit.

Kreu i Shtetit kërkoi nga institucionet përkatëse reagim të menjëhershëm dhe bëri thirrje që të shtohen vrojtuesit në zonat me risk të lartë.

‘Me shqetësim jam njohur me situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda për pasuritë tona natyrore. Në zonën e Krastës së Krujës po shkrumbohen mbi 10 hektar pyje dhe nga informacionet paraprake rezulton se vetëm dy zjarrfikëse janë në operacion për fikjen zjarrit, që po përhapet me shpejtësi për shkak të erës që ka filluar në orët e pasdites”, ka thënë Presidenti në një postim në Facebook.

Sipas Metës, vatra zjarri me përmasa të mëdha ka dhe në rajonin e Lezhës, në zonën e Torrovicës dhe Mal-Kolaj.

“Ndërkohë në të gjithë territorin e vendit kanë filluar vatra zjarri që pritet të marrin përmasa serioze për shkak të erës”, ka shtuar Presidenti.

“I bëj thirrje Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencisë për Mbrojtjen Civile dhe institucioneve të tjera përgjegjëse qendrore dhe vendore të marrin të gjitha masat e duhura efektive për të ndaluar përhapjen e zjarreve, fikjen e tyre dhe mbajtjen në gatishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme”, shton Meta.

“Me shumë rëndësi është gjithashtu vlerësimi i parashkimeve të hershme të IGJEUM, si dhe shtimi i numrit të vrojtuesve në zonat me risk të lartë, sidomos në Zonat e Mbrojtura”, shkruan Meta. /Telegrafi/

Me shqetësim jam njohur me situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda…

Posted by Ilir Meta on Tuesday, 5 July 2022