Telegrafi

Situata që të ikësh sa më parë nga Kosova, po ku se?

Pushteti dhe opozita në Kosovë në vend se ta ulin retorikën e konfliktit, po e ngritin akoma më lart. Pushteti po mban seanca të Parlamentit fshehurazi nga opozita, si Rugova në kohën e Millosheviqit.

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Nëse do të mbaheshin zgjedhje në Kosovë tani, partitë që janë në pushtet veshtir se do të mund të afroheshin tek kutitë e votimit. Zgjedhjet do t’ishin jo shprehje e vullnetit të qytetareve (që edhe ashtu janë të trullosur dhe zakonisht nuk i votojnë më të mirët), po shprehje e aftësisë për të grabitur kutitë e votimit. Nëse opozita paraqitet e bashkuar, atëherë me sa po shihet, kutitë e votimit do të bëheshin prona të saj.

Situata është e tillë që të ikësh sa më parë nga ky vend, por çështja është ku të shkosh. I gjithë planeti është bërë i pasigurt. Vendet ku tradicionalisht kanë emigruar shqiptarët: Evropa Perëndimore dhe Turqia janë bërë të pasigurta nga terrorizmi. Terrorizmi po troket edhe në derën tonë, e ne po luajmë me zjarr.

Krejt kjo është pasojë e rënies së vlerave morale. Njerëzimi e sidomos kosovarët duhet t’u kthehen vlerave morale: besimit, dashurisë, dhembshurisë, sakrificës, thjeshtësisë, korrektësisë, respektit, tolerancës, sinqeritetit, faljes, zellit për punë, durimit, guximit dhe mbi të gjitha shpresës për të ardhmen.

Prandaj, duhet të sillemi më me dashuri e respekt për Kosovën tonë: liderët politikë duhet të gjejnë gjuhën e kompromisit.