Telegrafi

Situata në veri të Kosovës, AAK kërkon seancë të jashtëzakonshme

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ka kërkuar që Kuvendi të mbajë një seance të jashtëzakonshme për këtë çështje.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri përmes një postimi në Facebook.

“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që me urgjencë të thirret një seancë e jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar situatën e krijuar në veriun e Kosovës. Menjëherë do të kërkojmë nënshkrimet për thirrjen e kësaj seance”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, sot janë bërë tetë ditë qëkur rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë bllokuar. Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.

Protestat filluan pasi Prishtina vendosi që të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.

Ditëve të fundit, aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikë kalimeve kufitare. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën.

Pas kësaj situate ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe rikthim të palëve në tryezën e dialogut. /Telegrafi/