Telegrafi

Situata në PD, ish ministri Berisha: Asnjë individ nuk ka të drejtë të ndrydhë demokracinë shqiptare

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, përmes një postimi në Facebook ka shkruar rreth situatës me Partinë Demokratike në Shqipëri.

Berisha në një postim në Facebook shkruan se çështja e zgjidhjes së udhëheqjes së Partisë Demokratike të Shqipërisë është çështje e anëtarësisë së saj.

Lexoni të plotë postimin e tij:

“Ashtu siç e kam thënë në prononcimet e mia publike dhe konfidenciale, çështja e zgjidhjes së udhëheqjes së Partisë Demokratike të Shqipërisë është çështje e anëtarësisë së saj.

Por, fenomeni i ndodhur, jo vetëm që kapërcen kufijtë partiak por është çështje që përfshin të gjithë shqiptarët.

Fenomeni Basha, që nuk pranon rregullat e shumicës, që udhëheqjen e partisë e trajton si një të drejtë absolute personale pavarësisht rezultateve zgjedhore, që strukturat partiake i zgjedhë në baza personale dhe përjashton poashtu në baza personale, është fenomen antidemokratik dhe i rrezikshëm për gjithë politikën shqiptare në këto troje, marrë përsysh faktin e përvojës së tmerrshme të kaluar në regjime totalitare dhe okupuese.

Asnjë individ nuk ka të drejtë të ndrydhë demokracinë shqiptare, prandaj sot shumica demokratike duhet t’i jep fund këtij deformimi, për të çuar në vend vullnetin e shumicës së anëtarësisë së saj, dhe në të njëjtën kohë secili lider që ka potencial të tillë antidemokratik të privatizimit të institucionit të kryetarit të një partie politike, të marrë mësimin se sjelljet e tilla do të kenë një fund të palavdishëm”, shkruan Berisha. /Telegrafi/