Telegrafi

Situata e zjarreve në Shqipëri, numri më i lartë i vatrave në Fier, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë

Gjatë 24 orëve të fundit, janë vënë nën kontroll 20 vatra zjarri, ku 10 prej tyre kanë qenë më problematike.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, Dallëndyshe Bici, raportoi mbi situatën e zjarreve në vend, sipas të cilës prefekturat të cilat kanë pasur numrin më të lartë të vatrave të zjarreve kanë qenë Fieri, Shkodra, Vlora dhe Tirana.

Bici theksoi se gjatë dy muajve të sezonit veror, qershor-korrik për shkak edhe të temperaturave të larta që kanë përfshirë të gjithë rajonin e Evropës, në të gjithë vendin janë shfaqur 220 vatra zjarri në 42 bashki të vendit.

Sipas Bicit, në menaxhimin e situatave të zjarreve, janë angazhuar në total 3088 forca dhe 320 mjete nga Forcat e Armatosura, forcat zjarrfikëse, policia e shtetit, forca vullnetare, trupa të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, si dhe punonjës të pushtetit vendor.

Ndërsa në dy operacione për shuarjen e zjarreve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i është drejtuar Mekanizimit Evropian të Mbrojtjes Civile për ndihmë. /Telegrafi/