Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Ylber Durmishi, ka deklaruar se situata në dy javët e fundit ka qenë shumë e qetë dhe pa asnjë incident të natyrës ndëretnike.
Ai ka theksuar se kësaj gjendjeje të qetë përveç popullatës i ka kontribuuar edhe organizimi i mirë dhe puna efektive e strukturave të sigurisë, si Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe KFOR-it.
Drejtori Durmishi, potencoi se si rrjedhojë e kësaj gjendjeje stabile, ditëve të fundit është shtuar edhe qarkullimi i pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme në të dyja anët e qytetit, të cilët lëvizin lirshëm dhe pa probleme.
Gjendjen të qetë në Mitrovicë e vlerësuan edhe zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Policisë. Nexhip Gashi, nga kjo drejtori, tha se gjatë dy javëve të fundit nuk është shënuar asnjë incident që do të ndikonte në gjendjen e përgjithshme të sigurisë.
Për gjendje të njëjtë raportoi edhe komandanti i stacionit jugor të policisë, kap. Bashkim Spahiu, sipas të cilit situata është normale dhe pa probleme.
Ndërsa përfaqësuesit e KFOR-it që ishin të pranishëm në takim, gjendjen e përshkruan si shumë të qetë, përderisa potencuan se në veri procesi i rindërtimit po shkon mirë dhe pa incidente. /Telegrafi/