Telegrafi

Situata e medaljeve pas ditës së nëntë në Paris 2024 – ngjiten fuqishëm SHBA-të

Ka përfunduar dita e nëntë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris, ku vendet në renditjen e medaljeve po ndryshojnë pothuajse çdo moment.

Kosova sot garoi me atleten Gresa Bakraçi e cila përfundimisht i ka dhënë fund garës në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, pasi nuk ia doli që të kalojë tutje as me repesazh.

Bakraçi sërish u rendit e fundit në baterinë e saj në garën 800 metra, duke arritur kohën 2.18 minuta, por pas garës u konfirmua se atletja jonë e mbylli garën në vendin e 35-të dhe u diskualifikua për dalje nga korsia.

Vendi ynë sot u përfaqësua edhe në not, aty ku notarja Hana Beiqi mori pjesë në disiplinën 50 metra stil i lirë.

Garuesja jonë pati një konkurrencë të fortë dhe garën e mbylli për kohën 27.34. Në renditjen e përgjithshme doli e 43-ta, duke lënë prapa vetes 36 garuese.

Vendi ynë pozicionohet në pozitën e 46-të në renditje me dy medalje të fituara, një të argjendtë dhe një të bronztë, që të dyja në xhudo.

Vendin e parë vazhdon ta ruaj Republika e Kinës e cila numëron 16 medalje të arta, 12 medalje të argjendta dhe 9 medalje të bronzta (37 në total).

Pas tyre me hapa të shpejt është ngjitur Amerika që tashmë zë vendin e dytë me 14 medalje të arta, 24 medalje të argjendta dhe 23 medalje të bronzta (61 në total).

Franca është pozicionuar e treta me 12 medalje të arta, 14 medalje të argjendta dhe 15 medalje të bronzta (41 në total).

Top 10-shen e shteteve me më së shumti medalje të fituara deri më tani e mbyllin Australia, Britania e Madhe, Republika e Koresë, Japonia, Italia, Holanda dhe Kanadaja./Telegrafi/