Telegrafi

Situata e COVID-19 në rajon: Meta, bisedë telefonike me homologun slloven

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun e tij, slloven Borut Pahor me të cilin ndanë të njëjtat shqetësime rreth përkeqësimit të situatës epidemiologjike të pandemisë COVID-19 në rajon.

Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi më intensiv ndërmjet dy vendeve, për të ndërtuar një strategji që do të mundësonte daljen sa më të sigurt dhe të shpejtë nga pandemia.

Krerët e shteteve vlerësuan marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe shprehën besimin se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej në të ardhmen në të gjitha fushat.

Presidenti Meta i shprehu presidentit Pahor mirënjohjen për mbështetjen solide që Sllovenia i ka dhënë në vijimësi procesit të integrimit evropian të Shqipërisë./Atsh/