Site icon Telegrafi

Situata e Challandes, largimi i Paqaradës dhe çështje tjera rreth Kosovës – flet sekretari i FFK-së, Eroll Salihu

(Foto: ffk-kosova.com)

Dy humbjet e Kosovës nga Suedia dhe Spanja në kualifikimet për në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’, pastaj mos ftesa e disa lojtarëve të Superligës së Kosovës, si dhe atmosfera jo e mirë brenda grupit, të gjitha këto i janë faturuar përzgjedhësit Bernard Challandes.

Madje kritikat e opinionit sportiv kanë shkuar aq larg sa edhe është kërkuar shkarkimi i tij nga Federata e Futbollit të Kosovës. Mirëpo shkarkimi i strategut zviceran nuk është në planet e kësaj federate. Kështu ka konfirmuar në një intervistë për KosovaPress, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Ai ka thënë se kontrata e trajnerit zviceran skadon vitin e ardhshëm, por se nuk mund të merren vendime të ngutshme pas një ose dy lojërave jo të mira.

“Trajneri Challandes kontrata i ka skaduar në maj (të vitit të kaluar) dhe është dashur të vazhdohet kontrata dhe cili njeri nuk do ta vazhdonte kontratën me një person që ka pasur 15 ndeshje që e ka bërë këtë popull krenar. Më tregoni një person serioz. Nuk dua t’i dëgjoj palaçot që dalin çdo ditë dhe i shesin mend të gjithë popullit dhe nuk kanë kurrë fare as dije e as kompetenca. Pra duhet të jemi real, e ka merituar një kontratë të re. Pra kontrata vitin e ardhshëm i skadon….Kështu që puna e tij gjithsesi vlerësohet….por po them edhe njëherë nuk mundesh me një lojë apo dy të nxjerrësh vendime të cilat do të ishin të ngutshme”, ka deklaruar Salihu.

Madje, ai ka theksuar se shqyrtimi i punës së Challandes mund të bëhet pasi të përfundojë cikli kualifikues i ndeshjeve për Kampionatin Botëror dhe se puna e tij do të shqyrtohet vetëm pasi të mbyllen këto ndeshje.

Lexo po ashtu Challandes: Luajtëm ndaj një ekipi shumë të fortë që ka disa prej futbollistëve më të mirë në botë

“Unë besoj që po. Nuk është kompetencë e imja, është e Komitetit Ekzekutiv, por unë besoj që duhet të vazhdojë dhe pastaj kur të përfundojë ky cikël pastaj mund të bëhet një rishqyrtim besoj por duhet të jemi real që për Kampionat Botëror është shumë, shumë vështirë që të kualifikohemi sepse është një numër shumë i vogël nga Evropa që shkon, por ne mendoj se duhet të përgatitemi për fazën e Ligës së Kombeve të UEFA-s, aty ku e kemi treguar forcën, ku e kemi pasur vendin e parë dhe të përgatitemi së paku të kemi një ekip solid… Prandaj edhe njëherë po them kjo mbetet çështje e Komitetit Ekzekutiv por unë besoj personalisht që ky cikël duhet të kryhet me atë”, ka shtuar Salihu.

Por, a është paga e lartë e Challandes njëri nga faktorët që FFK-ja po heziton ta shkarkojë atë?

“Është njëri, por nga ana tjetër nuk mendojmë që trajneri është shkaku kryesor që nuk kemi qenë të suksesshëm si më parë, do të thotë unë nuk e kam atë bindje….Është pak i ngutshëm, një konstatim jo serioz”, ka sqaruar ai.

Para pak ditësh mbrojtësi i Kosovës, Leart Paqarada, bëri të ditur se tërhiqet nga Përfaqësuesja dhe se nuk kthehet deri sa në krye të skuadrës është Challandes. Duke e komentuar këtë vendim të Paqaradës, Salihu tha se lojtari në fjalë ka bërë një veprim të ngutshëm, por se në fund secili merr përgjegjësinë për veprimet e veta.

Lexo po ashtu Leart Paqarada largohet nga Përfaqësuesja e Kosovës

“Nuk mendoj se ka vendosur mirë për arsye se ka pasur rastin, ka luajtur edhe nganjëherë edhe nuk shkon, nuk je në formë… Mendoj që ndoshta është dashur më shumë të luajë por vendos trajneri në fund të fundit. Prandaj unë mendoj që Learti ka bërë një lëvizje të ngutshme, por në fund të fundit secili përgjigjet për veprimet e veta”, është shprehur sekretari i FFK-së.

Krejt në fund, Salihu nuk e ka përjashtuar mundësinë që trajneri, i cili do ta pasojë Challandesin në stolin e Kosovës të jetë nga skena vendore.

“Asgjë nuk përjashtohet.. Dorën në zemër shumë pak trajnerë kemi që kanë përvojë ndërkombëtare… Prandaj aty duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Unë e di që kemi një Besnik Hasi për shembull, për mua është jo vetëm trajner i mirë por është karakter, e ka dëshmuar veten, është djalë i mirë, është burrë i mirë, por nuk varet po them gjithmonë nga njëra palë por nga të dy palët… Unë nuk kam ndonjë preferencë sinqerisht po iu them si ish-futbollist, por i mbetet prapë Komitetit Ekzekutiv që të vendosë”, ka përfunduar Salihu deklaratën e tij.

Ndeshjet e radhës sa i përket kualifikimeve për Kampionatin Botëror, Kosova i zhvillon në muajin shtator ku do të ballafaqohet me Gjeorgjinë, Greqinë dhe ndeshjen kthyese ndaj Spanjës.

Exit mobile version