Site icon Telegrafi

Situata me COVID-19: Nepali mund të bëhet si India, ndoshta edhe më keq

Në Nepal, po shfaqet një situatë që për fat të keq duket e njohur.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, atje rastet me Covid-19 po rriten shumë, spitalet janë të mbingarkuara dhe Kryeministri i vendit po kërkon ndihmë nga kombet e tjera.

Nepali tani po raporton rreth 20 raste të përditshme Covid-19 për 100,000 njerëz – rreth të njëjtit numër me Indinë që raportonte dy javë më parë.

Dhe fundjavën e kaluar, 44% e testeve për Covid-19 në Nepal u kthyen pozitivisht, sipas shifrave të qeverisë të cituara nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), pasi paralajmëronte për një krizë të afërt.

“Ajo që po ndodh në Indi tani është një vrojtim i tmerrshëm i së ardhmes së Nepalit nëse nuk mund të përmbajë këtë rritje të fundit të Covid-19 që po merr më shumë jetë çdo minutë”, tha në një deklaratë kryetari i Kryqit të Kuq të Nepalit, Dr. Netra Prasad Timsina.

Kështu, vë në pah CNN, përhapja e shpejtë e virusit ka ngritur frikën se Nepali po shkon drejt një pragu të një krize po aq shkatërruese sa India – nëse jo më keq.

Nepali ka një sistem të brishtë shëndetësor, me më pak mjekë për frymë sesa India, dhe një normë më të ulët vaksinimi sesa fqinji i tij.

Shkalla e lartë e rezultateve pozitive në teste sugjeron se nuk “po kap” raste sa duhet.

Ngjarjet masive publike, përfshirë festivalet, tubimet politike dhe dasmat, kanë lejuar përhapjen e rasteve, së bashku me vetëkënaqësinë e përgjithshme të publikut dhe veprimet e ngadalta të qeverisë.

“Situatat po përkeqësohen dita ditës dhe mund të dalë jashtë kontrollit në të ardhmen”, tha të hënën Dr Samir Adhikari, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Popullsisë së Nepalit.

Megjithëse Nepali ka forcuar kufijtë dhe ka vendosur bllokime në rajonet e tij më të goditura – përfshirë kryeqytetin – disa kanë frikë se nuk do të jenë të mjaftueshme për të përmbajtur virusin ndërsa përhapet në kryeqytet, dhe madje deri në kampin bazë të Everest. /Telegrafi/

Exit mobile version