Telegrafi

Situata me COVID-19 në Angli: Hernderson i shqetësuar se si askush nuk e merr seriozisht mirëqenien e lojtarëve

Jordan Henderson është shprehur i shqetësuar për gjendjen aktuale të mirëqenies së lojtarëve në Ligën Premier dhe beson se situata aktuale është tejet serioze.

Mesfushori i Liverpoolit dhe Anglisë foli për gjendjen e mirëqenies së lojtarëve në Ligën Premier, pas njoftimit të ligës për të përmbushur dhe luajtur orarin e ndeshjeve të saj festive pavarësisht se një numër ndeshjesh u suspenduan për shkak të shpërthimit të COVID-19 brenda skuadrave.

Duke folur për BBC Sport, Henderson deklaroi: “Jam i shqetësuar se askush nuk e merr seriozisht mirëqenien e lojtarëve”.

Lexo po ashtu COVID-19 po kërcënon sërish botën e sportit: Real Madrid, Liga Premier, Nadal dhe NBA

“Mendoj se vendimet merren – sigurisht që ne duam të luajmë si futbollistë, ne duam të dalim atje dhe të luajmë – por unë jam i shqetësuar për mirëqenien e lojtarëve dhe nuk mendoj se dikush e merr këtë mjaft seriozisht, veçanërisht në këtë periudhë, kur coronavirusi është mëse i pranishëm”.

Gjatë periudhës festive të këtij viti, Liverpool do të luajë pesë ndeshje për vetëm dy javë, pavarësisht lëndimeve dhe shtimit të rasteve me COVID-19.

Lexo po ashtu Tuchel me deklaratë thumbuese për Ligën Premier

Skuadra angleze tashmë është detyruar të luajë pa disa nga yjet e tyre kyç në këtë periudhë, duke përfshirë Virgil van Dijk, Fabinho dhe Thiago, të cilët munguan në barazimin 2-2 të Reds me Tottenham Hotspur të dielën, pasi u testuan pozitivë coronavirus.

Gjendja e mirëqenies së lojtarëve ka qenë prej kohësh për t’u debatuar mes lojtarëve dhe tifozëve të Ligës Premier, dhe ndërsa opinionet ende ndryshojnë për gjendjen e përgjithshme të saj, është e lehtë të shihet se lista e ndeshjeve në këtë kohë të vitit është veçanërisht e ngjeshur, duke pasur parasysh se vendet e tjera në Evropë si Gjermania, Italia dhe Spanja kanë pushim. /Telegrafi/