Sistemi i gjykimit gjithnjë e më tepër po merr interesin e të rinjve meshkuj e femra në Shqipëri. Akademia e Arbitrimit, e cila filloi aktivitetin dhe trajnimin e arbitrave të rinj të futbollit dy vite më parë, ka nisur sërish në këtë sezon të saj të dytë, me të njëjtin vrull interesimi, sipas shefit të sektorit të gjykimit në FSHF, Sokol Jareci.
“Brenda 24 orëve kemi 25 kërkesa nga djem edhe vajza. Viti i shkuar ishte i suksesshëm pasi dolën 70 vetë”, ka thënë Jareci.
Ndërkohë, në ndihmë të gjykimit edhe në vendin tonë ka filluar procedura për t’u aplikuar sistemi i gjykimit VAR. Pas përmbushjes së aplikimit, brenda pak kohësh do të fillojë edhe trajnimi.
“Bëhet fjalë për një trajnim që zgjat një vit deri në një vit e gjysmë. Ndoshta nga sezoni 2020/2021 do të debutojë ky sistem të paktën në një ndeshje kryesore”, ka thënë ai, citon Top Channel.
Aktualisht, gjyqtari Enea Jorgji ndodhet në UEFA në prag të kalimit në kategorinë e parë të gjyqtarëve të futbollit, një nga kategoritë më të larta ku asnjëherë më parë nuk ka gjykuar një arbitër.
Nga ana tjetër, shefi i sektorit të gjykimit e vlerëson pozitive ecurinë e arbitrave në këtë sezon në futbollin shqiptar.