Kështu ka vlerësuar kryesuesi i Departamentit për Arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jonuz Salihaj, i cili ka kritikuar ministrinë e Arsimit, duke thënë se nuk po arrin të krijojë një sistem arsimor të mirëfilltë.
Sipas Salhajt, edhe pse janë ndërtuar shumë objekte shkollore, ende një numër i madh i fëmijëve kanë mbetur jashtë bankave shkollore. Ndërsa, në shumë shkolla të tjera, sipas tij, ende punohet me tri ndërrime, duke i vlerësuar këto si shkelje të drejtave për një arsimim cilësor.
“Jemi larg standardeve të sistemit arsimor me vendet e BE-së. Por, jemi shumë larg edhe të sistemit arsimor të vendeve të regjionit”, ka pohuar ai, transmeton Kosovapress.
Salihaj ka deklaruar se edhe abetarja e përbashkët që u përurua vitin e kaluar, nuk po gjen zbatueshmëri në të gjitha trojet shqiptare. Dhe, për këtë ka fajësuar ministrinë e Arsimit që, sipas tij, nuk ka analizuar problemet që janë shfaqur gjatë aplikimit të saj.
Ai ka kritikuar ministrinë e Arsimit edhe sa i përket hartimit të kurrikulës së re, ku sipas tij, ajo nuk po zbatohet në Kosovë. Ndërsa, thekson se pilotimi i kurrikulës nuk do të mund të ndodh edhe për shumë vjet të tjera, pasi që mungon stafi dhe cilësia në fushën e arsimit në përgjithësi.
“Sistemi arsimor në Kosovë është i politizuar”, ka thënë Salihuaj, duke aluduar në konkurset për pranimin e punonjësve arsimor. /Telegrafi/