Me para evropiane do të riparohen sistemet e vjetra, por do të ndërtohen edhe sisteme të reja të vogla të ujitjes në disa rajone të vendit. Bëhet fjalë për 8 deri 10 lokalitete, ndërsa afati për ndërtimin e tyre është në dy vitet e ardhshme. Përfaqësuesit evropian porosisin që Maqedonia të investojë urgjentisht në sisteme të këtilla të ujitjes që t’i reduktojë edhe dëmet nga ndryshimet klimatike.
“Për shkak të thatësirave pritet që të preken të gjitha rajonet bujqësore të vendit. Kjo do të shkaktonte humbje të mëdha për bujqit. Njëra prej masave është që në rajonet më të prekura të sigurohet qasje deri te sistemet e ujitjes”, deklaroi Virve Empari, përfaqësues i BE-së në Maqedoni.
Për ndërtimin e këtyre sistemeve të ujitjes këshilltarët tashmë kanë vërejtur potencial në fushën e Kërçovës, Kriva Pallankës dhe Strumicës, në pjesën e Vallandovës dhe Vardarit dhe në Pellagoni dhe Pollog.
“Të gjitha që do të hyjnë në fazën e mëtejshme duhet të mbështeten në një deri dy bashkësi, por në kuadër të një komune, të jenë më të vogla se 300 hektarë, trualli të jetë tokë bujqësore”, deklaroi Tatjana Todorovska, Polit Pro.
Shumica e bujqve duhet t’i japin mbështetje projektit, por edhe të tregojë gatishmëri që më pas të marrin përsipër menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve. Investimet e para në këto sisteme priten gjatë vitit të ardhshëm.
“Qëllimi përfundimtar është që të rritet potenciali i ujitjes në 250 mijë hektarë në 15 vitet e ardhshme” tha ministëri i Bujqësisë Lupço Nikollovski.
Për këtë projekt do të shpenzohen mbi një milionë e gjysmë euro para nga komponenti evropian IPA 2, i dedikuar për bujqësinë./Alsat-M/
https://www.youtube.com/watch?v=-qnkONKuLxE