Telegrafi

Sistem paralajmërues për COVID-19, do të prezantohet në Britaninë e Madhe për të gjurmuar virusin

Një sistem paralajmërues për COVID-19 do të lëshohet nga qeveria në Angli për të gjurmuar virusin.

Sistemi do të klasifikojë nivelin e rrezikut nga coronavirusi në një shkallë nga një në pesë dhe do të rifreskohet me të dhëna. Vetë Boris Johnson, e prezanton sistemin e ri duke i përcjellë publikut edhe një slogan të ri; qëndroni vigjilentë, kontrolloni virusin, shpëtoni jetë, shkruan BBC.

Sistemi i ri do të aplikohet vetëm në Angli por qeveria po punon edhe me administratat e tjera që edhe ato të zhvillojnë sistemet e tyre.

Sistemi lëshon alarme që variojnë nga i gjelbër, niveli i parë, deri tek i kuq, niveli i pestë. Ai do të jetë i ngjashëm me atë të përdorur për ta mbajtur të informuar publikun për nivelin e kërcënimit terrorist.

Sipas departamentit të shëndetësisë në vend, 50 mijë teste coronavirusi janë dërguar në SHBA më herët këtë vit për zhvillim pas disa problemeve në laboratorët britanikë. Ndërkohë qeveria ka dështuar të arrijë objektivin për zhvillimin e 100 mijë testeve të përditshme, për të shtatën ditë radhazi. /Telegrafi/