Kur në fillim të viteve të ‘90-a qindra mijëra njerëz filluan të largoheshin nga Kosova në prag të luftërave në ish-Jugosllavi, në mesin e tyre ishte edhe Sislej Xhafa. Por, ai kishte edhe një synim tjetër – artin.
Edhe emrin e kishte marrë nga piktori impresionist francez Alfred Sisley – një nga piktorët e preferuar të babait të tij, Xhevdet Xhafës, i njohur për qasjen autobiografike në pikturat e tij. Në fillim të 20-ave të tij, Xhafa kishte shkuar në Londër dhe ishte regjistruar në Kolegjin për Art dhe Dizajn në Chelsea. Mirëpo, pas pak ai braktisi kolegjin dhe u nis në drejtim të Italisë, ku filloi studimet për art bashkëkohor në Akademinë e Arteve në Firence. Ky ishte viti 1993 dhe për katër vitet e ardhshme ai do të jetonte aty dhe në një rreth të ngushtë të njerëzve do të shfaqte disa vepra të tij.
Kjo ndryshoi në vitin 1997, kur Xhafa u shfaq para një publiku më të gjerë dhe prej aty do të shndërrohej në njërin prej artistëve më të kërkuar të artit bashkëkohor. Përkundër faktit se nuk ishte i ftuar në Bienalen e Venedikut, që konsiderohet ngjarja më e madhe e artit në botë, ai arriti të performonte në mënyrë “ilegale”.
Dy vite më vonë, Shqipëria u ftua për herë të parë në bienale, dhe Xhafa e përfaqësoi atë me veprën “Casa Senza Titolo”. Ai përsëri përfaqësoi Shqipërinë më 2005 me veprën “Ceremonial Crying System PV” dhe Italinë më 2013. Në vitin 2017, ai e përfaqësoi Kosovën me veprën ‘‘Lost and Found’’, ku paraqitet një kabinë prej druri në të cilën gjendet një telefon i cili nuk cingëron kurrë, dhe me anë të kësaj simbolizohet pritja për personat e pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 dhe thirrja që nuk erdhi kurrë. Gjithashtu, pjesë e veprës ishte edhe thirrja e emrave të personave të zhdukur nëpër rrugët e Venedikut, që shoqërohej me tingujt e tupanit.
Vazhdimisht në veprat e tij, Xhafa shtjellon kompleksitetin e shoqërive bashkëkohore, identitetin e shoqërive dhe të individëve, si dhe përmbysjen e perceptimeve tradicionale në përgjithësi.
Prej vitit 2000, Xhafa jeton në New York, dhe ndërkohë ka prezantuar vepra edhe në Palais de Tokyo në Paris, në Galerinë Continua në Pekin, në Bienalen Evropiane të Artit Bashkëkohor Manifesta etj.
Kosovo 2.0 ka biseduar me Xhafën duke iu kthyer në retrospektivë disa veprave të tij, për mënyrën se si mund t’i kuptojmë ato në kontekstin e sotëm politik global, e posaqërisht në atë lokal me rastin e shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
K2.0: Kosova këtë vit shënon 10-vjetorin e pavarësisë. Nëse pavarësia e Kosovës do të ishte një vepër artistike, cili do të ishte vlerësimi juaj për të?
Xhafa: Një gotë e zbrazët, pa ujë.
K2.0: Edhe një gotë e zbrazët mund të jetë artistike, apo jo? Duke e njësuar ‘‘gotën e zbrazët’’ me ‘‘pavarësinë’’, mos doni të thoni se ekziston gota po ajo nuk përmbush funksionin e saj, sepse është e zbrazët?
Xhafa: Sot, gota është e zbrazët, por ajo edhe mund të mbushet. Uji është metaforë e lirisë dhe kureshtjes që sot është kidnapuar në emër të lirisë nga papërgjegjësia dhe mungesa e kreativitetit të politikanëve.
K2.0: Në veprën ‘‘Silvio’’ flitet për një politikan të zgjedhur në mënyrë demokratike për të udhëhequr vendin, i cili përdor krejt fuqitë e tij financiare dhe mediale për të qëndruar në pushtet. Për këtë vepër ju keni përdorur figurën e ish-Kryeministrit italian Silvio Berlusconi, por keni refuzuar ta shfaqni veprën tuaj në Itali. Cili do të ishte modeli i ‘‘Silvios’’, politikanit nga Kosova, që nuk do të shfaqej asnjëherë në Kosovë?
Xhafa: Politikanët e Kosovës ndajnë një vijë horizontale, e cila përfshin arrogancën, mungesën e etikës dhe vizionit. Korrupsioni masiv në emër të lirisë është tragjedia më e madhe e Kosovës pas pavarësisë. Unë nuk i perceptoj politikanët e Kosovës si individë; përkundrazi, i shoh ata si grup kolektiv në kopshtin zoologjik të kthyer me kokë poshtë. Ky kopsht zoologjik mirëmbahet duke ulëritur dhe duke ngrënë çdo gjë që u del përpara. E bëjnë këtë në tufë, e kur të mbeten pa ushqim do të fillojnë ta hanë njëri-tjetrin.
K2.0: Ende nuk keni shfaqur vepra në Kosovë, sepse sipas jush ende nuk ju ka ardhur një ofertë serioze. Në anën tjetër, keni potencuar se sa e rëndësishme është hapësira ku do të shfaqet vepra juaj. Si e shihni Kosovën si hapësirë për krijim të artit dhe shfaqjen e saj?
Xhafa: Është sfidë. Irracionaliteti krijon tendenca të tjera. Kosova ka qene frymëzim i pasur i krijuesve të shumë gjeneratave. Padrejtësia, dhuna, diskriminimi dhe uria intelektuale janë frymëzimet më domethënëse për njeriun që krijon. Format e freskëta artistike dhe idetë irracionale janë e ardhmja. Është vështirë dhe sfiduese dhe kërkon hapa të guximshëm individual.
K2.0: Kush kë po korrupton: pushteti artistët apo artistët pushtetin?
Xhafa: Pushteti i korrupton artistët duke u dhuruar atyre grante. Shembulli konkret është Qendra Kinematografike e Kosovës. Artistët të cilët nuk marrin grante për të realizuar skenaret e tyre dalin me shkrime dhe intervista gjithandej kundër Qeverisë. Po ata, kur marrin grante, u mbyllet goja edhe zhduken nga opinion publik. Rrugëtimi i një artisti është solitar, tepër i varfër dhe shumë, shumë i gjatë. Por ajo [rrugëtimi i artistit] është inkurajim dhe stimulim për jokompromis, për uri dhe autonomi intelektuale dhe me një qëndrim.
K2.0: Çfarë populli jemi?
Xhafa: Ne jemi popull që jemi ndërtuar nga sensi i viktimizimit – kemi qenë paqësor historikisht, se nuk e kemi sulmuar askënd, dhe se u kemi ndihmuar hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, e vërteta është se nuk kemi pasur kapacitet intelektual ta ndërtojmë shtetin tonë, dhe jemi përdorur nga fuqitë e mëdha për qëllimet e tyre. Viktimizimi ka arritur në atë masë saqë kemi ndërruar identitetin për qëllime socio-politike. Prandaj, ne jemi të fundit që kemi marrë shtetin tonë në Ballkan. Nuk kemi sulmuar askënd sepse nuk kemi pasur kapacitetin politik. Kur sensi i viktimizimit ngrihet në qiell, viktima fillon ta viktimizojë veten. Arti është e vetmja fuqi që aspektin e viktimës e transformon në përvojë magjike dhe unike. Krijon një qëndrim dhe jep një vizion dhe shpresë për të ardhmen. /kosovotwopointzero.com/