Titulli do të duhej pak më i plotë: “Siria nuk guxon të përfundojë si Kosova, shtet kriminal”, por atëherë më nuk do të kisha se çfarë t’i shtoja këtij titulli, këtij konstatimi real të realitetit në Kosovë tash e trembëdhjetë vjet. Por, ja që jeta vazhdon disi. Bashkë me këtë shkrim.
Nëse i sjelli kalkulimet globale politike mbi situatën në Siri, atëherë do të tingëlloja, pse jo, edhe nga pak kozmopolit. Ose, shkrimi do të dilte i bajatshëm, i mërzitshëm dhe jo i botueshëm. Esenca nuk është të tregohem, për të satën e qindtën herë se jam, pse jo, i nivelit global kur vjen puna e shkrimit dhe e perceptimit të shoqërisë. Esenca është që ajo çfarë po ndodhë tash e sa muaj në terren në Siri, po i ngjason Kosovës së fundviteve 1990. Është kohë lufte për pushtet.
Pa marrë parasysh propagandën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila nuk ndodhi të jetë çlirimtare, Kosova përkundrazi e ka përjetuar atë që po e përjeton Siria. Sidomos aspektin e vendimeve globale mbi këtë shtet. Duke parë se çfarë po ndodhë në Kosovë, edhe vet SHBA-ja me gjithë Britaninë e Madhe dhe Francën po hezitojnë të nisin çfarëdo intervenimi ushtarak atje. Këto shtete, politikat e tyre, nëse asgjë tjetër nga Kosova, kanë mësuar diçka nga mësimet politike-ushtarake të Kollin Pouellit, se çfarë do të ndodhë me Kosovën në aspektin politik pas përfundiit të intervenimit ushtarak?
Deri në një masë, nuk ndodhi asgjë. Sepse ushtria dhe policia e regjimit politik të Sllobodan Millosheviqit u larguan nga Kosova, por qeverisja e mirë nuk u instalua asnjëherë. Ekonomia nuk u rimëkëmbë, arsimimi dështoi, shëndetësia kolaptoi, infrastruktura komunale nuk u zhvillua asnjëherë, mediat e lira dhe të pavarura nga politika ditore nuk ranë në funksion të shoqërisë asnjëherë.
Përkundrazi, çdo gjë u korruptua deri në kriminalizim. Në një kriminalizim që Kosova nuk e kishte përjetuar asnjëherë gjatë regjimit të Millosheviqit dhe të asnjë regjimi tjetër historik. Në një mënyrë, intervenimi ushtarak i NATO-s asnjëherë nuk u kristalizua, nuk mori kuptim dhe arsye. Në fakt, kishte një kuptim morbid – njerëzit më nuk vriteshin. Dhe kjo ishte mjaftueshmëria vetëvrastare. Sepse, tash e sa vjet pas lufte, ende nuk ka qartësi nëse njerëzit në Kosovë duhej të kishin kujdes më shumë nga UÇK-ja apo nga ushtria dhe policia serbe.
Ironinë me një anë Kosova nuk arriti t’i plotësojë standardet e një shoqërie normale, edhe ashtu të vogël siç jemi. Lufta për pushtet u bë e ashpër. Aq e ashpër saqë nuk zgjidheshin mjete, nuk zgjidheshin veprime. Grupet kriminale të PDK-së, si SHIK-u, filluan organizimet dhe aksionet politike kundër LDK-së në pushtet. AAK-ja u distancua nga grupe të tilla që udhëhiqeshin nga njerëzit e krimit pjesëmarrës në UÇK, duke iu bashkëngjitur LDK-së në pushtet e cila e siguronte votën me “paqësimin” e Rugovës, por duke mos i instaluar asnjëherë institucionet e një shteti të mirëfilltë.
Filloi lulëzimi i bizneseve të egra të cilat kishin kuptimin e fondeve në kohën e fushatave zgjedhore. Qytetarët paguanin dhe vazhdojnë të paguajnë haraç edhe nëpërmjet ngritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimit. Filloi privatizimi i ndërmarrjeve me pronësi publike. Njerëzit e politikës filluan të pasuroheshin shpejtë dhe sigurt. Kultura dhe tradita kosovare, ose edhe shqiptare, ishte përmbysur nga kriminalizimi.
Dhe kështu, njerëzit filluan të pyeteshin se çfarë po ndodhte, ku mbeti “lufta çlirimtare”, ku u tretën heronjtë, ku mbeti dashamirësia, afrimi i njerëzve, ku u tret Bllaca, Qegrani e Stenkoveci, ku u tretën heronjtë medial? Dhe, nga kjo, njerëzit filluan të kujdeseshin për vetveten, secili për vete, ose secila familje për vete.
Punësimet familjare nëpër organizatat joqeveritare dhe nëpër institucionet qeverisëse ishin bërë në formë të hordeve: nuk zgjidhej cilësia, por sasia e familjes; tenderët përfundonin tek jarania politike, pa dallim; mediat ranë në shërbim të politikës ditore duke punësuar anëtarë të familjes. Në këtë mënyrë, shtetit dhe shoqërisë së Kosovës i humbi kuptimi. Kjo shoqëri, edhe sot e kësaj dite ekziston vetëm fizikisht. Siç thuhet, është vështirë t’i shkëmbesh edhe dy llafe me dikë që e ke afër. Dhe kështu përfundoi Kosova e periudhës së pas-Millosheviqit duke hyrë në periudhën e Thaçit.
Edhe një herë, esenca është tek Siria dhe politika ndërkombëtare: a e dëshiron SHBA-ja dhe vet BE-ja, ose edhe Rusia dhe cilido shtet tjetër normal edhe një Kosovë mbi ketë tokë? Nga i gjithë ky hezitim tash e sa muaj për ndonjë intervenim ushtarak, përgjigja është ashiqare: jo! Sepse, pastaj vjen periudha e “investimeve” në “emër të popullit”, investime qindra e qindra miliona euro e dollarë, por që asnjëherë nuk do të dihet se ku do të treten (kujtojeni Kosovën). Ose, politikisht, nga një regjim Siria mund të kalojë në një regjim tjetër politik, por me cilindo emër ose parti tjetër politike (kujtojeni Sllobodan Millosheviqin dhe SPS-in dhe Hashim Thaçin e PDK-në). Nga aspekti qeverisës, Siria mund të përfundojë si Kosova: shtet të kriminalizuar nga “heronjtë” e luftës. Ose, pse jo, të kthehet regjimi i mëhershëm. Në fakt, bisedimet e ardhshme Thaçi – Nikoliq nuk kanë kuptim tjetër, apo jo?