Natyra e konflikteve bashkëkohore është ajo e prishjes së drejtpeshimit të marrëdhënieve ndëretnike, apo për arsye të keq menaxhimit dhe autoritarizmit nga udhëheqja e shtetit. Kur përpjekjet parandaluese të konfliktit dështojnë, ajo eskalon në dhunë dhe në ato raste vendi, por edhe komuniteti ndërkombëtar, pësojnë në humbje të jetëve dhe të ekonomive.
Vonesa e parandalimit taksapaguesve të dy palëve u kushton me sakrificë për mirëqenien e tyre për të ndërtuar paqen. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, përgjegjës për të ndërmarr hapa për ruajtjen e jetëve të njerëzve, nga praktika, tregohet i paefektshëm për shkak të mekanizmit ligjor të papërshtatshëm për lejimin e ndërhyrjes, i cili është në funksion të interesave të pesë vendeve me veto në KS.
Shtetet të cilat nuk ushtrojnë demokraci në vendet e tyre, janë të prira drejt qasjes së ngurtë, të mos ndërhyrjes ndaj shteteve sovrane, bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, kapitulli VII. Janë të njëjtat shtete të cilat kanë kundërshtuar apo kanë hezituar ndërhyrjen edhe në Kosovë.
Karta e Kombeve të bashkuara lejon shtetet të sillen sipas politikave të brendshme e autonome, por a duhet me çdo çmim autoritarët të sillen duke vrarë masovikisht popullin e tij? Çuditërisht, Karta e ndalon ndërhyrjen ndaj shteteve, por lejon dhunën e autoriteteve ndaj popullsisë! Ajo nuk e ka përcaktuar kufirin deri kur autoritarët lejohen të bëjnë ç’të duan me popullsinë të cilën e sundojnë! Kjo mundësoi zhvillimin e politikave të ndryshme të nënshtrimit të grupeve apo pjesëtarëve të pakicave pengimin e ushtrimit të drejtave të njeriut, spastrimet etnike, deri te gjenocidi.
Si të veprohet në këto situata, kur e drejta për jetë mbetet në duart e tiranit? A të lejohet, kur dhe kush të ndërhyjë? A mund të jetë KS në disproporcion në mes retorikës dhe veprimit të tij për sigurinë globale? Kush duhet t’i përcaktojë kriteret e ndërhyrjes? Cila do të ishte forma e ndërhyrjes? Cilat do të ishin qëllimet e ndërhyrjes? A është sovraniteti term absolut? A duhen fshehur pas sovranitetit veprimet antinjerëzore të qeverive përkatëse dhe liderëve të caktuar? Këto janë çështje, të cilat kohëve të fundit kanë preokupuar vëmendjen e qarqeve të caktuara intelektuale të sferës së ligjit e sigurisë ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në vitin 2004, formoi një Panel të nivelit të Lartë mbi Kërcënimet, Sfidat dhe Ndryshimet me qëllim të këshillimit se si të tejkalohen sfidat, të cilat e kërcënojnë sigurinë kolektive të shekullit njëzet e një. Paneli përfundoi se është përgjegjësi kolektive ndërkombëtare për të mbrojtur – e ushtruar nga KS i OKB, i cili autorizon intervenimin ushtarak si mjet të fundit në raste të gjenocidit dhe të vrasjeve masive, spastrimeve etnike apo të shkeljeve serioze të drejtave të njeriut nga ana e qeverive të shteteve. Paneli përcaktoi pesë kritere sipas të cilave mund të autorizohet ndërhyrja: serioziteti i kërcënimit të shtetit dhe sigurisë njerëzore; ndalimi apo shmangja e kërcënimit në fjalë; intervenimi duhet të jetë mjeti i fundit pasi të dështojnë të gjitha format e tjera intervenuese; niveli, kohëzgjatja dhe intensiteti i intervenimit duhet të jetë minimumi i mundshëm për të arritur qëllimin, pasojat e të cilit duhet të jenë më të vogla sesa mosveprimi.
Bazuar në mësimet nga vendet e cekura, kishte një përfundim koncensual që shtetet duhet të marrin përgjegjësinë për të mbrojtur popullsinë e vet nga krimet, e njohur si doktrina “Përgjegjësia për të mbrojtur”, R2P (Right to Protect). Sipas kësaj, kur bëhen krime mizore brenda shtetit apo kur shteti është i paaftë apo nuk ka vullnet ti ndal ato, komuniteti ndërkombëtar ka legalitet për ndërhyrje, duke përdorur forcën si mjet të fundit.
Raporti i këtij paneli shërbeu për Samitin Botëror 2005, i cili nxori dokumentin World Summit Outcome Document, në të cilin përshkruhen edhe përgjegjësitë, të cilat i ka secili shtet (pika 138), për të mbrojtur popullsinë nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit, si dhe ndihmën ndërkombëtare (pika 139), në përkrahje të shteteve me probleme të kësaj natyre. E, shtetet kanë përgjegjësi eksternale, t’i kontribuojnë sigurisë dhe paqes në botë, dhe internale, përgjegjësi ndaj qytetarëve të saj, për t’iu siguruar mirëqenie.
Këtë Bashar al-Assad nuk po e bënë, përkundrazi, ai po i thyen premtimet e dhëna Ligës Arabe dhe OKB-së. As largimi nga Liga Arabe, as kërcënimet me sanksione apo ndërhyrjet nga jashtë, nuk po e ndalojnë atë nga krimet të cilat po i bënë ndaj popullit të cilit i përket. Ky shpreson – ngjashëm me Millosheviqin se Rusia dhe Kina do të jenë në anën e tij – por deri kur? Këto krime kanë arritur nivelin e atillë i cili duhet ndërgjegjësuar vendimmarrësit që së paku nga aspekti moral të ndërmarrin hapa për të ndaluar krimet. Ky njeri si duket ka vendosur të sakrifikohet sikur homologët e tij, Sllobodan Millosheviç, Sadam Husein, Hosni Mubarak, Moamer Gadaf.
Sipas doktrinës natyraliste, në virtytin e qenieve njerëzore ka nivel të caktuar të obligimit për humanitetin e përbashkët moral, së paku për ata të cilët rezonojnë racionalisht, e edhe të drejtën ende të paformuar të intervenimit humanitar. Teoricienët, të cilët qëndrojnë pas kësaj doktrine, e konsiderojnë intervenimin ndërkombëtar të ngjashëm me detyrimin imperfekt, me bamirësinë. Ky koncept, Intervenimi Humanitar Ndërkombëtar,IHN, i ka ndarë ashpër mospajtimet në mes të së drejtës apo jo për intervenim, sipas ligjit ndërkombëtar ndaj një shteti sovran.
Ndërmjet përkrahësve tradicionalë, konvencionalë uestfalian, të atyre të cilët heshtin ose e konsiderojnë të paqartë legalitetin e intervenimit dhe atyre, të cilët e përkrahin barazinë në mes sovranitetit dhe të drejtave të njeriut – rrymë kjo e cila po merr zhvillim pas rasteve të gjenocidit në Ruandë e Bosnjë, në të cilat vende, si rrjedhojë e inertësisë ndërkombëtare vdiqën rreth një milion njerëz, po vazhdon debati i gjerë.
Në mesin e studiuesve të kësaj fushe nuk mohohet legjitimiteti i intervenimit ndërkombëtar humanitar, por ka nevojë për vendosjen e legalitetit të qartë ndërkombëtar për ndërhyrje. Klasicistët, në mbrojtje të ligjit ndërkombëtar, konsiderojnë se është forma më e mirë për të ndalur vrapimin e shfrenuar për hegjemoni të fuqive të mëdha. Kjo doktrinë mbështetet nga shtetet autoritare e totalitare, nga frika reale e tyre e përfshirjes së popullatës së tyre në padëgjueshmëri ndaj sistemeve të tilla dhe mundësisë, pastaj të ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar.
A duhet lejuar vendimmarrësve johuman e respektuesve të ligjit ndërkombëtar të shfaroset një popull?
Absurditeti i ligjit ndërkombëtar, në emër të sovranitetit shtetëror lejon humbjen e jetëve të qytetarëve të ati shteti! Çka nëse ata shkojnë deri në vetëshkatërrim? A mbetet dhe kujt i mbetet ai shtet pastaj. Vendimmarrësve ndërkombëtarë?! Si do ta ndajnë ata pastaj atë? A po shfrytëzohet ky rast për qërime hesapesh e përfitimesh nga të tjerët? Si duket është në shprehje e thëna afrikane: “Kur elefantët luftojnë, bari e pëson, por edhe kur bëjnë dashuri, prapë është bari ai i cili e pëson”.
IHN është “kërcënim apo përdorim i forcës brenda kufijve shtetërorë nga një shtet (apo grup shtetesh), me qëllim të parandalimit apo përfundimit të shkeljes së gjithanshme dhe kërcënuese të të drejtave fondamentale njerëzore të individëve, jo qytetarë të tyre, pa pëlqimin e shtetit brenda territorit të të cilit zbatohet forca”. Andaj kujt, përveç gjakëfilëve, i pengon ndërhyrja për të ndal mizoritë të cilat po i bënë Asadi në Siri?!
Vendet të cilat po e pengojnë arritjen e armëpushimit dhe vendosjen e paqes, nëpërmjet vetoizimit të rezolutave, tri deri tani, janë ato të regjimeve autoritare, siç janë Rusia dhe Kina. Shtetet e Bashkuara të lodhura nga intervenimet, por edhe nga shumë kritika, të paarsyeshme, për rolin prijës të tyre në intervenimet në Bosnje e Kosovë, sikur u tërhoqën për pak dhe po u thonë të tjerëve “ju nuk mund të bëni asgjë pa përfshirjen tonë serioze”.
Diktatori i radhës, presidenti sirian,bazuar në të dhënat të cilat i japin mediat e pavarura dhe mekanizmat ndërkombëtarë, ushtron dhunë pa e zgjedhur cakun. Ai po vret e keqtrajton fëmijë e gra, pleq e të rinj… vetëm a janë protestues. E, “mbretit të mirë nuk i nevojiten topat”. Tashmë bota, përveç bashkëmendimtarëve, po e shohin se cili është presidenti i Sirisë. Ata njerëz, të cilët po i kundërvihen diktaturës, thërrasin për ndihmë, ose t’i mundësohet që edhe ata të jenë të barabartë me ushtrinë, policinë dhe paramilitarët e Assadit në fushëbetejë. Bota demokratike e ka për detyrë t’i ndalë tiranët, përndryshe ata nesër do të shumohen.
Qëkur filloi kryengritja e popullit sirian, në pranverë të vitit 2011, forcat e sigurisë, sipas raportimeve kanë vrarë rreth 15,000 civilë, kryesisht të pambrojtur. Këtë e thotë i deleguari special i sekretarit të Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan , i cili numër po rritet në vazhdimësi. Vetëm në korrik janë vrarë rreth dymijë njerëz. Kjo po kërcënon krizë serioze për sigurinë regjionale, ashtu të brishtë në Mesdhe. Refugjatët po fillojnë të kërkojnë shpëtim jashtë kufijve. Ngjarjet në dy qytetet ku po zhvillohen luftimet, dëshmojnë për përmasat e krizës, të papara që nga lufta e Kosovës. Qeveria siriane po dështon në mbrojtjen e qytetarëve të saj.
Dhe, krimet ndaj njerëzimit të ushtruara nga regjimi Bashar Asadit arsyetojnë ndërhyrjen ndërkombëtare për të ndalur ato dhe për të vendosur bazat për zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe parandalimin e ndonjë krize për sigurinë ndërkombëtare.
Mosangazhimi në rastin më të ri në shekullin XXI dhe në sytë e një mekanizmi më të fuqishëm shumëkombësh të cilën e ka përjetuar njerëzimi, do të hijezonte vlerat morale aq shumë të predikuara të humanizmit dhe demokratizimit botëror. Do të ishte bankrotim moral e njerëzor, e popuj të shumtë në botë kanë përjetuar gjenocid dhe krime ndaj njerëzimit në sytë e botës.
Më mirë për pesë vendet me veto të KS është të arrijnë konsensus për ndërhyrje, në rastin pak më të keq të ndërhyhet ilegalisht, por me legjitimitet për të mbrojtur civilët, se sa në rastin oportunë, të “ngrohen” në zjarrin e luftës e cila po e përcëllon tërë një popull i cili synon demokracinë.
Kjo sjellje e KS të OKB-së, lidhur me ngjarjet në Siri, përkujton gjendjen e Luftës së ftohtë. Duhet të vijnë kohëra më të mira edhe për kombet e vuajtura arabe.