Telegrafi

Siri, energjia nën kontrollin e kryengritësve

Ndonëse lajmi nuk është konfirmuar nga Televizioni Shtetëror Sirian, burime të aktivistëve dhe të rebelëve thanë se forcat e tyre janë vendosur në të gjitha hyrjet dhe daljet për në ndërtesën nga ku operohet hidrocentrali, i vendosur mbi një digë madhore mbi lumin Eufrat, në krahinën e Raqës.

Aktualisht, turbinat e HEC-it vazhdojnë të funksionojnë, duke furnizuar vendin me energji.

Marrja në dorë e hidrocentralit të Raqës do të thotë se rebelët kanë praktikisht në dorë fatin e energjisë së vendit, i cili pa këtë HEC në funksionim, ka shumë pak burime të tjera për të siguruar furnizimin e popullsisë me energji.

Ndërkohë, një prej liderëve kryesorë të opozitës kritikoi në mediat ndërkombëtare refuzimin e presidentit Bashar al-Assad, për bisedimet e kërkuara prej tij.

Moaz al-Khatib, pjesëtar i Koalicionit Kombëtar Sirian, deklaroi se “përgjigja e regjimit përbën një sinjal tepër negativ për botën”.

Në zhvillime të tjera nga vendi i ndodhur në luftë civile, banorë të Damaskut thanë se intensiteti i luftimeve të zhvilluara gjatë natës në kryeqytet ishte më i madhi që kishin përjetuar ndonjëherë.

Aktualisht, kryengritësit po përpiqen të organizojnë një mësymje madhore mbi kryeqytet, një lëvizje që potencialisht mund t’i japë fund luftës që i ka kushtuar jetën të paktën 60 mijë sirianëve.

Megjithatë, Damasku vazhdon të jetë i mbrojtur mirë nga forcat e ushtrisë së rregullt, e cila sipas një reportazhi të “CNN”, ndonëse po shfaq shenja lodhje, është ende në gjendje të kontrollojë mirë kryeqytetin dhe institucionet e ndodhura në të. /Telegrafi/