Derisa mbarë bota po vazhdon të përballet me shpërthimin e coronavirusit, miliona njerëz në vendet më të varfra janë bërë më të prekshëm nga rënia ekonomike dhe pasiguria ushqimore, paralajmërojnë ekspertët e Kombeve të Bashkuara.
Programi Botëror i Ushqimit pretendon se perspektiva ekonomike – dhe rreziqet e pasigurisë ushqimore – vazhdojnë të errësohen për shkak të efekteve të pandemisë, duke paraqitur kërcënime të mëtejshme për rajonet në Afrikë, që tashmë po luftojnë me varfërinë ekstreme, transmeton Telegrafi.
Rreth 265 milionë njerëz mund të mbesin të uritur gjatë vitit 2020, gati dyfishi i shifrave të vitit të kaluar, thuhet në raportin e parashikimeve të fundit të këtij programi.
Ekspertët shpjegojnë se si rënia globale e ekonomisë po ndikon në ekonomitë me të ardhura të ulëta, ndërsa po bëhet “gjithnjë e më e dukshme” dhe vepron përmes kanaleve të ndryshme.
“Vendet që varen shumë nga turizmi, remitencat, importet e ushqimeve ose eksportet e mallrave parësore do të përballen me një situatë të rëndë”, ka thënë Susanna Sandstrom, drejtuese e Njësisë së Ekonomisë dhe Tregjeve në Programin Botëror të Ushqimit.
Madje, ajo vuri në dukje se vendet më të rrezikuara janë ato të goditura nga jo vetëm një, por disa faktorë dëmtues në të njëjtën kohë, derisa nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë veten nga kjo situatë. /Telegrafi/