Telegrafi

Sipas ditores “Zëri” – gazetarja shtatzënë s’është pushuar, por nuk i është vazhduar kontrata

Gazeta “Zëri” reagon ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe ndaj lajmit se gazetares Senada Halimit i është shkëputur kontrata pasi ka njoftuar krerët e “Zërit” se është shtatzënë.

“AGK po ashtu inkurajoi gazetaren Halimi që të nisë procedurat ligjore ndaj gazetës në fjalë, thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.

“Zëri” shprehet se gjithçka është bërë me tendenca nga kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, që ka qenë punëtor i këtij mediumi. Ndërkaq, thotë se gazetares Halimi nuk i është ndërprerë kontrata, porse asaj dhe gjashtë punëtorëve të tjerë nuk i ia kanë është vazhduar për, siç thuhet, “bazuar në performancën e tyre”.

Lexo po ashtu AGK dënon veprimin e gazetës që pushoi nga puna gazetaren shtatzënë

Reagimin e “Zërit” mund ta lexoni të plotë më poshtë:

“Gazetares Senada Halimi nuk i është shkëputur kontrata, pasi që kontrata ekzistuese i është respektuar në tërësi, por nuk i është vazhduar kontrata e re për vitin 2017. Kjo për faktin se bashkë me gazetaren Halimi, kontrata nuk i është vazhduar edhe gjashtë punëtorëve të tjerë.

Vendimi për këta punëtorë është ndërmarrë bazuar në performacën e tyre. Në gazetën “Zeri” ka punëtore të tjera shtatzëna, të cilave u është vazhduar kontrata. Pra nuk është e vërtetë që vendimi është marrë për këtë arsye.

Kjo është vetëm një tendence e kreut te AGK-se, Shkëlqim Hysenaj, i cili ka qenë i punësuar në “Zëri” për tetë muaj. Atij gjatë kësaj periudhe i është ndryshuar pozita, por jo edhe paga, duke iu respektuar kështu kontrata e punës.

Ai me vetëkërkesë ka dhënë dorëheqje nga pozita dhe me pas ka deponuar një ankesë në Inspektorat të Punës për gazetën “Zëri”. Pas shqyrtimit të gjitha fakteve, Inspektorati merr vendimin me nr. 06-28-1/16, ku ka vendosur se ankesa e Shkëlqim Hysenajt është e pabazuar.

Ne shprehim shqetësimin tonë në lidhje me fushatën e Hysenajt kundër “Zërit”. Hysenaj edhe pse i votuar për të përfaqësuar të gjithë gazetarët e Kosovës, pa dallim, ai nuk ka reaguar në shume raste të kërcënimeve te gazetareve, siç është rasti i fundit i redaktores së fotografisë, Laura Hasani, e cila është kërcënuar të dielën që lamë pas nga disa serbë lokal gjatë punës së saj në Mitrovicën e Veriut.

Për shkak të kësaj qasjeje selektive të Hysenajt ndaj ” Zërit”, kjo e fundit ndihet e papërfaqësuar dhe ka vendosur që mos të konkurrojmë sivjet në çmimet vjetore që ndahen nga AGK” (sic.), thuhet në reagim.