Telegrafi

Sinner demolon Djokovicin, e mposht bindshëm dhe e eliminon nga gjysmëfinalja e Australian Open

Jannik Sinner siguroi fitoren më të madhe të karrierës së tij, duke mposhtur 10 herë kampionin e Australian Open, Novak Djokovic, me rezultat 3-1 me sete (6-1, 6-2, 6-7, 6-3) në një mënyrë mahnitëse për të arritur finalen e parë të një Grand Slami.

Tenisti italian mahniti të gjithë duke e dominuar tenistin serb, i cili nuk kishte asnjë zgjidhje për t’ia kthyer goditjet e njëpasnjëshme.

Sinner ‘asgjësoi’ serbin në dy setet e para, por Djokovic u kundërpërgjigj, duke rrëmbyer të tretin në ‘tiebreak’ dhe duke menduar se ndeshja do të bëhej interesant.

Megjithatë, Sinner rizbuloi formën e tij, duke fituar përfundimisht setin e katërt dhe duke i dhënë fund serisë së Djokovic në 33 ndeshje si i pamposhtur në Australian Open.

Çuditërisht, veterani serb nuk arriti të krijojë asnjë ‘break point’ në ndeshje, duke treguar dominimin e plotë të kundërshtarit të tij në shërbim.

Sinner tani ka shansin për të fituar titullin e tij të parë Grand Slam dhe do të përballet me Daniil Medvedev ose Alexander Zverev në ndeshjen e së dielës.

Ndryshe, Djokovic njihet si ultra-nacionalist serb dhe shpeshherë është përfunduar dhe dënuar shkaku i thirrjeve të tij për luftë dhe mesazheve politike. /Telegrafi/