Partia nacionaliste irlandeze Sinn Fein pritet të bëhet grupi më i madh në Asamblenë e Irlandës së Veriut për herë të parë, me numërimin e votave që rifilloi të shtunën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një fitore e Sinn Fein në zgjedhje do të ishte një moment historik për një parti të lidhur prej kohësh me Ushtrinë Republikane Irlandeze (IRA).
Një gjë e tillë supozohet se do të sillte gjithashtu një hap më afër qëllimit përfundimtar të Sinn Fein për një Irlandë të bashkuar.
Por partia i ka mbajtur çështje të tilla jo si kryesore në axhendën e saj gjatë një fushate që është mbizotëruar nga shqetësimet më të menjëhershme, domethënë nga rritja e kostos së jetesës.
Partia ka bërë fushatë për çështje ekonomike, duke u paraqitur si një forcë progresive.
Nëse rezultatet konfirmohen, Sinn Fein, ish krahu politik i IRA-s, do të merrte postin e ministrit të parë në Belfast. /Telegrafi/