Mungesa e një rregullores përkatëse për Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”, e cila pritet të miratohet në qeverinë e re të Kosovës, po shihet si pengesë për zbatimin e këtij ligji në luftën kundër korrupsionit.
Kështu u tha sot në një tryezë diskutimi me temën “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”, organizuar nga Lëvizja FOL, ku të pranishmit diskutuan lidhur me ligjin e ri për mbrojtjen e sinjalizuesve në luftën kundër korrupsionit.
Ligji i ri për mbrojtjen e sinjalizuesve ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion, i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim. Neni 6 i Ligjit për Sinjalizuesit pengon çfarëdo forme të pengimit të sinjalizimit.
Vlora Marmullakaj, zyrtare e lartë e projektit të BE-së/Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik, ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve e ka quajtur të avancuar, por ka kërkuar plotësimin e tij edhe përmes hartimit të një rregulloreje të veçantë, e cila mungon për momentin.
“Ligji është konsideruar si i avancuar edhe nga të tjerët edhe nga ekspertë të jashtëm. Ligji mbron personat zyrtarë, por edhe rregullon sektorin publik dhe privat, pra diçka që ka munguar në ligjin e mëhershëm, ofron mbrojtje gjyqësore për sinjalizuesit, i parasheh tri nivele të sinjalizimit: të jashtëm, të brendshëm dhe sinjalizimin publik, por edhe përcakton institucionet të cilat janë të mandatuara për monitorimin e ligjit. Disa aspekte që kanë munguar në ligjin e mëhershëm dhe të gjitha këto janë në pajtim me këshillin e Evropës dhe në tekstin e direktivës deri në një masë është i përafruar. Megjithatë ligji, pos aktet administrative nuk janë i vetmi hall, por ka shumë praktika brenda institucioneve që duhet trajtuar. Ky është viti i parë dhe konsideroj se janë ndërmarrë hapa si hartimi i rregullores”, tha ajo.
Ardiana Thaçi, gazetare e grupit Koha, ka sjellë përvojat e saj se sa janë ndierë sinjalizuesit e storieve të saj të mbrojtura nga ky ligj. Ajo ka përmendur një rast konkret për Telekomin e Kosovës, pas raportimeve në media, pas hyrjes në fuqi të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve.
“Bordi i Telekomit së bashku me kryeshefin e kanë dërguar një letër në mars të këtij viti, katër muaj pasi ka hyrë në fuqi ky ligj dhe i ka kërcënuar dy mijë e pesëqind punëtorët se do të ndiqen penalisht nëse do të zbulohen nëse ata janë duke rrjedhë informacionet. Nuk e dimë sa antikorrupsioini ka bërë në këtë aspekt, por ka qenë shkelje e nenit gjashtë të këtij ligji, pasi është një kërcënim i hapur apo ndalim i kufizimit të raportimit në interes të publik. Ka pasur raste tjera edhe në të kaluarën dhe sinjalizuesit përballen me frikën se do të humbin vendin e tyre të punës. Këtë vit kur po raportoja për BQK vinin informacione nga njerëz që nuk e dija se kush janë, sepse vinin nga adresa fiktive për shkak të frikës se do të pësonin se do të pësonin në rast se do të zbulohen”, tha Thaçi.
Ajo tha se fuqizimi i ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve do të ndikonte edhe në uljen e korrupsionit, por edhe një vit pas hyrjes së tij në fuqi ai ende nuk po gjen zbatim si duhet në praktikë.
Drejtori i Agjencisë Antikorrupsion Shaip Havolli tha se deri më tash kanë 230 zyrtarë kontaktues në luftën kundër korrupsionit, teksa ka dhenë sqarime edhe lidhur mbi kërcënimet ndaj punonjësve.
“Lidhur me rastin në fjalë, Agjencia menjëherë ka kontaktuar Postë-Telekomin dhe ka kërkuar ta përcaktojë zyrtarin përgjegjës dhe pas kësaj, PTK na ka dërguar emrin e personit kontaktues që ka të bëjë me sinjalizim…Ligji ka përcaktuar rregulla edhe për sinjalizues, pasi duhet të shteren të gjitha mundësitë para se ato të bëhen publike në media. Në këtë rast, edhe pse s’ka pasur person kontaktues ose që merret me çështje të sinjalizimit, institucionet tjera janë Agjencia antikorrupsion apo edhe institucionet e tjera. Për këtë arsye ndonjëherë nuk mund të merren veprime konkrete, pasi nuk pasur person direkt në fakt i kërcënuar”, tha ai.
Ai tha se janë duke u marrë me disa raste të sinjalizimit për korrupsion, por nuk ka dashur të shpalosë më tepër detaje për opinionin, duke shtuar se ka një mori problemesh që do të adresohen në hartimin e rregullores së ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Faton Morina, zyrtar përgjegjës për sinjalizim në BQK, ka thënë se ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve duhet të plotësohet edhe me akte nënligjore, duke uruar që ato të finalizohen sa më shpejt.
“Ligji ka disa të meta, por megjithatë është dukshëm më i avancuarës se sa ligji i kaluar për informatorët, por problemi mendoj se është mjaft shqetësues kur po i miratojmë ligjet sapo për të plotësuar standardet dhe në aspektin institucional nuk e marrim mundin t’i shohim përgjegjësitë që kemi karshi ligjit. Është non-sens të dëgjohet nga një zyrtar se çështjen e zyrtarit përgjegjës e di vetëm unë e sekretari. Sfidat nuk përjashtohen dhe është një projekt i mirë që një nga rekomandimet e KE-së se raportimi publik është mjeti i fundit që të duhet të përdoret. Duhet parë ligjin si preventivë dhe aktet ligjore duhet të përcaktojnë këtë çështje”, tha Morina.
Betim Musliu nga IKD ka përmendur praktikat e sinjalizimit në SHBA gjatë një hulumtimi që do të publikohet nesër dhe që ka të bëjë me çështjen e shpërblimit për sinjalizuesit, si praktikë që ekziston në SHBA, ku vlera e konfiskuar e pasurisë si pasojë e sinjalizimit mund të shkojë prej 15 deri 30 për qind për sinjalizues.
Ai tha se ky do të ishte motiv i madh për sinjalizuesit në luftën kundër korrupsionit, pasi në të kaluarën rastet e sinjalizimit kanë shërbyer si raste të përndjekjes së sinjalizuesve dhe jo si raste që ka shërbyer sinjalizimi për të zbuluar një veprimtari korruptive, duke bërë kështu që të mos ketë asnjë burgim efektiv për korrupsion .
“Ne do të publikojmë edhe në publikim tjetër nesër me titullin “Kosova (s) ka korrupsion të profilit të lartë” edhe duke bërë ballinën nuk kishim ide më kreative, e qitëm një hartë të Kosovës dhe bëmë krejt lule, sepse po na del se në Kosovë nuk kemi asnjë të burgosur me burgim efektiv për korrupsion, sepse me statistika përnjëmend po na del se nuk kemi korrupsion”, tha Musliu.
Mirlinda Maliqi-Vatovci, zyrtare përgjegjëse për sinjalizim, ka sqaruar se detyra e saj nuk është specifike, por si detyrë shtesë të cilën e ka marrë sot, do t’i përgjigjet Agjencisë Antikorrupsion. Ajo kërkoi që zyra e saj të ndërrohet pasi aty janë të vendosur kamerat dhe për shkak të të cilave sinjalizuesit do të hezitojnë që të raportojnë rastet për korrupsion .
“Në momentin që e kam marrë vendimin, e kam thirr Shaipin në telefon dhe i kam thënë kuku çka të bëj…Shpresoj që do të ketë sinjalizues dhe nuk do të ketë frikë për të ardhur, pasi konfidencialitetin e kam numër një… S’po di çka të them, shpresoj na shkon mbarë”, tha Vatovci.
Në lidhje me këtë çështje, kreu i Agjencisë Antikorrupsion Shaip Havolli tha se do të ketë një trajnim të zyrtarëve kontaktues për sinjalizim dhe se të gjitha sugjerimet në këtë tryezë do t’i marrin parasysh si institucion.
Ndryshe, Ligji i ri për mbrojtjen e sinjalizuesve ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion, i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim. Neni 6 i Ligjit për Sinjalizuesit pengon çfarëdo forme të pengimit të sinjalizimit.
“Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”- përcaktohet në Ligjin për Sinjalizuesit.
Për më tepër, hakmarrja ndaj Sinjalizuesve është edhe vepër penale e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /KP/