Site icon Telegrafi

Sindroma akute koronare dhe tretmani urgjent paraspitalor

Sindroma akute koronare paraqet gjendje me rrezik potencial për jetë e cila manifestohet në formë të angina pectoris jo stabile ose infarkt të miokardit

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Spec.i mjek.urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente-Prishtinë
tel. 044-199-161;
isufbajrami@yahoo.com

Paraqitet më së shpeshti pas pëlcitjes ose erozionit të pllakës aterosklerotike (ndryshimi nga enët e gjakut në zemër dhe trombozës e cila paraqitet papritmas dhe në mas kritike e zvogëlon qarkullimin e gjakut në arteriet koronare.

Faktorët e riskut që e përshpejtojnë sëmundjen janë:

– vlerat e larta të sheqerit në gjak,
– yndyra në gjak,
– hipertensioni,
– duhanpirja,
– mosha,
– obeziteti,
– pasiviteti fizik,
– predispozitat familjare gjenetike.

Si ta njohim sëmundjen?

Te angina pectoris stabile dhembja provokohet nga aktiviteti fizik, stresi, të ftohtit. Tërhiqet afërsisht pas 5 min pas ndërprerjes së aktiviteteve ose marrjes së nitroglicerinës, ndërsa dhembja të SAK është intensive, zgjatë më shumë ose nuk reagon në nitroglicerinë ose pushim.

Dhembja është shtrënguese, me ndjenjë të rëndesës, flakës, djegies ose shtrëngimit, lokalizohet në sternum me zgjerim në një ose dy duart, qafë, nofull, shpinë dhe epigastrium.

I sëmuri shpesh ndihët keq, ka mundim, marramendje dhe ndihet i tensionuar. Shumë pacientë janë të zbehtë dhe djersitur. Mund të lajmërohen edhe pengesa tjera me frymëmarrje.

Lokalizimi i dhembjes

Te disa pacientë që vuajnë nga sëmundja e sheqerit, insuficienca kronike e veshkave, personat me demencë, të moshuarit, sindroma akute koronare (SAK) mund të manifestohet edhe në mënyrë atipike, si ndonjë ngufatje ose mungesë e ajrit, shtrëngim i izoluar në fyt, ndjenjë e peshës në dorë, marramendje, pengesa dispeptike, plogështi, humbje e vetëdijes etj.

Në rast se keni dhembje në gjoks çdo herë thirrini Shërbimin mjekësor urgjent dhe përcillni udhëzimet nga Qendra dispiqerike përmes linjës emergjente, tel. 194.

Koha është faktori më i rëndësishëm, pasi që miokardi dhe jeta e pacientit më së shumti mund të shpëtohen në të ashtuquajturën ”orën e artë”.

Mos tentoni që vet të vozitni deri në spital. Pritni Ndihmën e shpejtë, pasi që ekipet janë të specializuara dhe kanë pajisje që mund të shpëtojnë jetën.

Të sëmurit me dhembje në gjoks, mos i jepni medikamente që nuk janë ordinuar nga mjeku.

Mos e lëni të sëmurin pa mbikëqyrje dhe menjëherë thirrni Ndihmën e shpejtë në rast se gjendja i keqësohet.

Gjeni dokumentacionin mjekësor dhe barnat që i përdor pacienti dhe tregoni mjekut me rastin e mbërritjes së ekipit.

Shenjat dhe simptomat

• Pacienti ka dhembje të fortë në sternum e cila zgjatë më shumë se 5 minuta e nuk tërhiqet nga nitroglicerina ose me pushim.

• Pacienti ka frymëmarrje të padefinuar dhe të vështirësuar me ose pa dhembje në gjoks.

• Pacienti ka dhembje në gjoks, shoqëruar me marramendje

• Pacienti ka dhembje në gjoks që përcillet me zbehje, djersitje, mundim dhe marramendje

• Pacienti ankohet me dhembje në shpatulla, qafë, nofulla dhe në pjesën e sipërme të stomakut.

• Pacienti ka dhembje në një ose dy duart (sidomos në të majtën), me ose pa humbje të papritur të forcës në duar (dhembja në formë të shtrëngimit, ndjenja e rëndesës, presionit, djegësimit, ndjenja e pakëndshme)

Dhembja që që mund të vijë nga krahu mund të sinjalizojë një infarkt zemre

Pse thirret ndihma urgjente

Ekipet e Qendrës Urgjente Mjekësore, mund të fillojnë mjekimin e infarktit akut të miokardit, menjëherë edhe para mbërritjes në spital, në harmoni me trendet bashkëkohore të mjekimit në këtë mënyrë i rrisin gjasat për ringjallje.

Madje edhe nëse gjendeni afër spitalit çdo herë thirrni Shërbimin e Urgjencës Mjekësore, pasi që një nga komplikimet e sulmit në zemër është lajmërimi i aritmive të zemrës (puna e çrregullt e zemrës) të cilat mund të shpijnë në vdekje të papritur.

Këtë gjendje duhet trajtuar me reanimacion dhe me dozim të elektricitetit në gjoks përmes defibrilatorit. Për këto veprime janë të aftësuara ekipet e Shërbimit urgjent paraspitalor.

Kur thirret ndihma urgjente

Tek infarkti i miokardit koha është faktor kritik dhe konsiderohet se vet i sëmuri dhe rrethi është një prej faktorëve më të rëndësishme në përkujdesjen fillestare të kësaj sëmundje me potencial të lart të vdekshmërisë.

1. Menjëherë thirr numrin tel. 194 ose 112, nëqoftëse personi nuk vuan nga angina pectoris, ndërsa ka dhembje në gjoks e cila zgjatë më shumë se 5 minuta.

2. Menjëherë thirr numrin tel. 194 ose 112, nëqoftëse pacienti vuan nga angina pectoris dhe ka të përshkruar barin nitroglicerinë duhët të merrë një dozë të barit dhe të pres 5 minuta.

Nëqoftëse dhembja nuk tërhiqet, të merret edhe një nitroglicerinë dhe të pritet edhe 5 minuta.

Nëqoftëse simptomat janë të pranishme të merret doza e tretë dhe pritet edhe 5 min.

Nëqoftëse dhembjet fare nuk kanë pushuar ose gjatë dhënies së nitroglicerinës janë përkeqësuar

3. Thirrni numrin tel 194 ose 112

– nëse pacienti ka frymëmarrje të padefinuar dhe të vështirësuar me ose pa dhembje në gjoks
– nëse i sëmuri ka dhembje në gjoks, me marramendje ose ka humbur vetëdijen
– nëse pacienti ka dhembje dhe ndjenjën e shtypjes në qafë dhe nofull
– nëse dhembja në një ose dy duart (sidomos në dorën e majtë)
– kurdoherë që dyshoni në sindromën akute koronare

Si trajtohet infarkti i miokardit?

Shkaktari më i shpeshtë i infarktit të miokardit është mbyllja e enës së gjakut të zemrës nga trombi.

Duke i falënderuar ekipet e Shërbimeve urgjente mjekësore me pajisjet e tyre bashkëkohore me profesionalizëm i mundësohet çdo pacienti trajtimi pas vendosjes së diagnozës infarkt i miokardit e bashkë me këtë rriten shanset për mbijetesë dhe ringjallje në kushte spitalore.

Ekipet e trajtojnë pacientin me infarkt miokardi në vendin e ngjarjes deri në sallën e kateterizimit, me këto veprime kursehet koha për zemrën tuaj.

Mbani mend: Për zemrën tuaj, çdo minutë është i rëndësishëm! /Telegrafi/

Exit mobile version