Telegrafi

Sindikatat tradhtojnë punëtorët për politikën

Sindikatat në Kosovë mbrojnë interesin e punëtorëve apo të pushtetit? Një dilemë e tillë shtrohet nga punonjësit në Kosovë, të cilët thonë se me gjithë faktin se pothuaj në secilin institucion publik ekzistojnë sindikatat, ato nuk mbrojnë sa duhet të drejtat e punëtorëve.

Një gjendje e tillë pranohet edhe nga vetë përfaqësuesit e dy federatave sindikale që ekzistojnë në Kosovë.

Ndue Kalaj nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thekson se kjo sindikatë ende nuk ka arritur të largohet nga ndikimi i pushtetit dhe partive politike. “Ndoshta, jo që nuk dëshiron, por për shkak se ndikimet politike janë shumë mëdha dhe shoqëria në Kosovë është e politizuar, për shkak të rrethanave”, tha Kalaj.

Ndërkaq, Ali Dragusha, zëvendëskryetar në Konfederatën e Sindikatave të Lira të Kosovës ( KSLK), thotë se nuk mungojnë përpjekjet e Qeverisë dhe të partive politike që të kenë ndikim edhe në rrafshin sindikal.

“Në rastin konkret, te ne në Kosovë, politika është duke e shfrytëzuar mirë, të them kushtimisht, edhe gjendjen e sindikatave, do të thotë strukturën organizative të lëvizjes sindikale në përgjithësi, që është një brishtësi në aspektin organizativ dhe funksional. Dhe, në këtë formë, ajo bën përpjekje që të ketë ndikim edhe në aktivistët dhe liderët sindikalë”, shprehet Dragusha.

Në Kosovë, kryesisht punëtorët e ndërmarrjeve publike kanë sindikatat e tyre, kurse ndërmarrjet private, ku edhe shkelen më së shumti të drejtat e punëtorëve, nuk kanë të formuar sindikata.

Se sindikatat janë të politizuara, thotë edhe sociologu Fadil Maloku. Qëllim i gjithë kësaj, sipas tij, është sepse Qeveria dëshiron që pakënaqësitë eventuale të punëtorëve t’i mbajë nën kontroll përmes sindikatave.

“Ky është një lajm i keq për sindikatat, pasi ne e dimë që sindikatat si mekanizma të fuqishëm që mbrojnë të drejtën e punëtorëve, në shtetet perëndimore janë shumë të afta t’i mbijetojnë ato krizat ekonomike- sociale”, tha Maloku.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, mohon një konstatim të tillë, duke thwnw se nuk qëndron ky konstatim dhe kushdo që deklaron një gjë të tillë, për të qenë i besueshëm, është dashur të ofrojë fakte.

Ndryshe, në sektorin publik llogaritet se janë të punësuar rreth 73 mijë persona, ndërsa rreth 80 mijë persona konsiderohet se janë të punësuar në sektorin privat, e që nuk janë të paraqitur.

Punëtorët në sektorin privat nuk kanë të formuar sindikatat, për arsye, siç thonë përfaqësues të sindikatave, udhëheqësit e kompanive, organizimin sindikal e shohin si rival, e jo si partner bashkëpunimi. /Rel/Telegrafi/