Qeveria e Republikës së Maqedonisë solli vendim për orar pune fleksibil dhe punë me dy ndërrime në administratën publike. Megjithatë, përfaqësuesit e punëtorëve, gjegjësisht sindikatat janë kundër asaj që administrate të punojë më dy ndërrime.
Siç thonë ata, kjo do të shkaktojë shpenzime shtesë për institucionet, të cilat do të duhet të mbesin të hapura, gjegjësisht të punojë edhe gjashtë orë shtesë.
Nga Konfederata e organizatave sindikale thonë se të punësuarit janë të hutuar nga vendimi i qeverisë.
“Për orarin fleksibil të punës do të japim mbështetje dhe këtu punëtorët janë të kënaqur, ndërsa ky paralajmërim për dy ndërrime ka ngritur konfuzion tek punëtorët”, tha Marjan Ristevski, kryetar i Konfederatës së Organizatave Sindikale të Maqedonisë.
Vendimi i qeverisë për punë me orar fleksibil dhe me orar në dy ndërrime do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori, ndërsa paraprakisht, kryeministri ka paralajmëruar debat të gjerë publik.