Site icon Telegrafi

Sindikata mbron mjekët e akuzuar

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës qëndron fuqishëm prapa mjekëve-kardiologë që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe trajtim të pandërgjegjshëm.

“Pas analizës së bërë u konstatua se gjendja në shëndetësi është kaotike dhe duke u përkeqësuar e kjo falë ndërhyrjeve të vazhdueshme politike gjë e cila më së miri pasqyrohet me çështjen e Kardiologëve. Në çështjen Kardiologjia konsiderojmë që kemi të bëjmë me standarde të dyfishta të drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Federatës Sindikale.

Në komunikatë thuhet se FSSHK qëndron fuqishëm pranë konstatimeve se aktakuza e ngritur ndaj 63 mjekëve dhe të tjerëve nuk mund të jetë e përgjithësuar.

“Po ashtu fuqishëm kundërshtojmë dy pikat e akuzës: Keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe trajtimin e pandërgjegjshëm”, thuhet në këtë komunikatë.

FSHK konstaton se duke mos dashur të ndërhyhet në kompetencat e prokurorisë gjithmonë do ta dënojnë mitmarrjen, por kurrsesi nuk pranojnë që të jenë viktima të politikave ditore.

“Me këtë rast apelojmë tek menaxhmenti i SHSKUK-së dhe Bordi Drejtues i SHSKUK-së që të mos nguten në marrjen e vendimeve politike sepse kjo do ta çrregullonte sistemin shëndetësor e në veçanti Shërbimin Kardiologjik”, thuhet në njoftim.

FSSHK njofton opinionin e gjerë se qëndron fuqishëm pranë kolegëve dhe jo vetëm duke paralajmëruar masat më radikale sindikale deri në bllokim të sistemit.

Exit mobile version