Site icon Telegrafi

Sindikata e Shëndetësisë: Paratë për dekorimin e qyteteve të investohen në shëndetësi

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka apeluar tek të gjithë kryetarët e komunave dhe tek asambletë komunale që të kenë parasysh situatën e rënduar me pandeminë COVID-19 kur bëjnë plane për shpenzime për të dekoruar qytetet për festat e fundvitit.

Sipas një njoftimi për media FSSHK-ja është njoftuar me shumat e projektuara për një aktivitet të tillë, andaj ka kërkuar që këto mjete të investohen në sektorin e shëndetësisë me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore gjatë Pandemisë COVID-19  dhe në mbrojtje të popullatës në nivel të komunave.

“Është i pa toleruar dekorimi i qyteteve për festa të fundvitit kur qytetarët tanë po ballafaqohen me kushte të rënda mbijetese me Pandeminë dhe gjendjen socio ekonomike të familjeve të tyre. Andaj FSSHK bën apel tek Kryetarët e Komunave dhe Asambleve Komunale që të jenë më të arsyeshëm sa i përket shpenzimeve të parasë publike”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet tutje në njoftim, Kosova nga nesër futet pothuajse në karantinë e që nënkupton edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Tek e fundit Kosova që nga nesër futet pothuajse në karantinë e që nënkupton edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, andaj pyetja është kjo?. Kush do t’i vizitojë këto qendra të dekoruara të qyteteve kur kemi masa kufizuese dhe të paktën a kemi ndjeshmëri dhe solidaritet këtë vit me familjet të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga COVID-19”, thuhet ndër të tjera në reagimin e  FSSHK-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version