Telegrafi

Sindikata e RTK-së: Rasti i drejtorit dhe zv.drejtorit të këtij mediumi po hetohet nga Prokuroria Speciale

Sindikata e RTK-së ka njoftuar se  Agjencia Antikorrupsion ka marrë vendim që rastin e drejtorit dhe zv.drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetgjekaj dhe Arsim Halili ta dërgoj në Prokurorinë Speciale, në njësinë e hetimeve në Antikorrupsion.

“Në vendimin e AKK-së thuhet se rasti është duke u hetuar nga Njësia e Veçantë e Hetimeve sipas autorizimit të  Prokurorisë Speciale, dhe i gjithë dokumentacioni i grumbulluar nga Antikorrupsioni  i është dorëzuar prokurorisë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Më tej në njoftim thuhet se rasti ka të bëjë me ndërhyrjen në gjykatë  të Shkumbin Ahmetxhekaj në janar të këtij viti, me ç’rast ishin krijuar favore, përfshirë ato financiare, për Arsim Halilin, në dëm të buxhetit të RTK-së.

“Siç jeni në dijeni, vetëm disa ditë pasi ishte emëruar në postin e ud.drejtorit gjeneral nga Bordi i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj kishte ndërhyrë në Gjykatën e Apelit dhe kishte tërhequr padinë e RTK-së ndaj Arsim Halilit. Me këtë ndërhyrje ai i kishte shkaktuar RTK-se dëm financiar në vlerë prej 21 mijë euro mjete të cilat do të shkonin në llogarinë e Arsim Halilit. Përveç dëmit financiar, me ndërhyrjen në Gjykatë z.Ahmetxhekaj e kishte pastruar dosjen e Arsim Hallilit e cila ishte pengesë për ta emëruar atë në postin e ud. zv. drejtorit gjeneral. Menjëherë pas eliminimit të kësaj pengese ai e emëron z. Halili ud.zv. drejtor gjeneral”, thuhet më tej në njoftim.

SPRTK thotë se me kohë kishte shprehur dyshimin se ky rast paraqet keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që dy personat e përfshirë në hetim janë në krye te RTK-së, njeri drejtor gjeneral dhe tjetri ud.zv. drejtor gjeneral.

“Arsim Halili ishte dënuar nga Komisioni disiplinor i RTK-së për fyerje të komunitetit LGBTI. Për rastin e Arsim Halilit kishte lëshuar vendim edhe Keshilli i Mediave te Shkruara (KMShK) në të cilin ndër të tjera thuhet : Në postimin e Arsim Halilit ka gjuhë te papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”, thuhet më tej në njoftimin e sindikatës. /Telegrafi/