Telegrafi

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë, menaxhmenitit të SHSKUK-së: Nuk do të ketë paqe sociale në QKUK derisa nuk i trajtoni infermierët me nder

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK ka kërkuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së që t’i trajtojë me dinjitet infermierët.

Në një letër publike, kjo sindikatë ka thënë se pavarësisht se fokusi është te ngjarjet në veri, kërkesat e infermierëve nuk bën të injorohen.

“Padyshim që është me rëndësi që fokusi i institucioneve të Republikës së Kosovës nuk duhet të zhvendoset nga situata e krijuar në veri, me ç’rast moralisht neve na pamundësohet reagimi”.

“Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ne pajtohemi me inkompetencën dhe vendimet e jashtëligjshme të SHSKUK / QKUK-së, diskriminimin dhe tendencat për denigrim personal dhe profesional të infermierëve në QKUK”.

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK ka thënë se nuk do të ketë paqe sociale në këtë institucion derisa të mos u njihet roli i merituar infermierëve.

“Konsiderojeni veten të njoftuar publikisht që nuk do ketë paqe sociale në QKUK derisa menaxhmenti aktual t’i thërras mendjes, mos të sillet si skllavo-pronar, t’i trajtoj infermierët me nderë dhe respekt ashtu siç e meritojnë dhe t’ua njoh rolin dhe rëndësinë që kanë infermierët për sistemin shëndetësor dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim./Telegrafi/