Sindikata e Punëtorëve e Autoritetit të Aviacionit Civil i ka reaguar Bujar Ejupit, drejtor i përgjithshëm i të AAC-së pasi ky i fundit ka thënë se është në shënjestër të sulmeve nga grupe të caktuara, që nga momenti kur i raportoi keqpërdorimet në institucionet përgjegjëse.
Në një shkrim në llogarinë zyrtare në Facebook, Sindikata thotë se beson shumë që gjykimet e institucioneve, pasi bazohen në dëshmi e raporte e jo në postime që kanë për qëllim lojën e “heroit viktimë”.
“Është e lehtë të prononcoheni në faqe të mediumit social me tekstin më superlativ për vehten përderisa të gjitha raportet zyrtare, të vendit dhe ndërkombëtare flasin për shkeljet dhe dështimet e juaja. Gjithashtu paraqitja e viktimës e cila qenka duke e luftu të keqen nuk pin ujë më zotëri Ejupi, asnjëra nga këto kallëzime nuk arritën të vërtetohen që tri vite nga institucionet. A është e mundur që ju po i keqpërdorni edhe ato institucione për ta arsyetuar gjithë këtë dështim në menaxhim me “luftimin e korrupsionit”.
“Secila prej pikave që keni cekë është manipulim dhe mashtrim të cilat do t’i demantojmë një për një në ditët në vijim sic ju kemi demantuar edhe në të kaluarën. Sikur të ishit marrë me siguri të aviacionit dhe jo me obsesionin për përndjekje profesionistësh e kerozinë, sigurisht se do të kishit Raporte të miratuara pune dhe jo dhjetëra gjetje nga institucione kombëtare e ndërkombëtare pa asnjë reagim përmirësimi nga ju si kreu i institucionit”, thotë Sindikata e Punëtorëve.
Sindikata ka lutur Bujar Ejupin që të mos e keqpërdorni faqen zyrtare të institucionitpër interesa personale.
“Ajo duhet t’i shërbejë opinionit publik për misionin e AAC-së, Sigurinë e Aviacionit Civil”, thuhet në fund./Telegrafi/