Site icon Telegrafi

Sindikata e PTK-së: Do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të kompanisë

Sindikata e PTK-së përmes një komunikate për media të mërkurën ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me marrëveshjen e arritur ndërmjet PTK-së dhe kompanisë Z-Mobile, duke thënë se do të përcjellin çdo veprim që del nga kjo marrëveshje dhe se qëndron fuqishëm në mbrojtje të kompanisë dhe interesit të saj.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës Agron Mustafa dhe drejtori i Z-Mobile Blerim Devolli kanë arritur sot marrëveshje në lidhje me vendimin e Arbitrazhit me të cilën e obligon Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë Z-Mobile 30 milionë euro.

Sindikata e PTK-së bën me dije se prej fillimit ka qenë kundër pagesës së një shume të tillë për Z-Mobile.

“FSP-PTK dhe as kryetari i saj Lamih Balaj nuk kanë dhënë deklaratë të më hershme rreth kësaj marrëveshjeje dhe njëherësh nuk ka qenë dhe ende nuk është e njoftuar për detajet e kësaj marrëveshje të arritur sot. Ne do ta përcjellim çdo veprim i cili del nga kjo marrëveshje, dhe do të jemi ashtu siç kemi qenë se organet e pavarura të shtetit duhet ta japin fjalën e tyre përfundimtare.

Ne vazhdojmë të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të kompanisë dhe interesit të punëtorëve”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, sipas marrëveshjes që është nënshkruar në mes Mustafës dhe Devollit, Z-Mobile i merr 100 mijë numra dhe shërbimet tjera të Telekomit dhe Valës, ndërsa 3 mijë punëtorët e Telekomit mbesin në punë. /Telegrafi/

Exit mobile version